• e martë, 26 nëntor 2024

Papa Françesku e dënoi luftën në Ukrainë, dhunën në Lindjen e Afërt, terrorizmin ndërkombëtar

Papa Françesku e dënoi luftën në Ukrainë, dhunën në Lindjen e Afërt, terrorizmin ndërkombëtar

Shkup, 9 prill 2023 (MIA) - Papa Fraçesku u është drejtuar rusëve duke iu kërkuar që të kërkojnë të vërtetën lidhur me pushtimin që shteti i tyre ka nisur ndaj Ukrainës, teksa ka dhënë mesazhin për Pashkët. Ai po ashtu bëri thirrje për dialog mes izraelitëve dhe palestinezëve pas dhunës së fundit.

Siç njofton REL, papa Françesku mbajti meshën në sheshin e Shën Pjetrit të Vatikanit para 100.000 besimtarëve, disa ditë pasi u hospitalizua për shkak të problemeve shëndetësore.

“Ndihmoni popullin e dashur të Ukrainës në rrugën e tyre drejt paqes, dhe le të bie drita e Pashkëve mbi popullin e Rusisë”, tha ai.

Që kur ka nisur pushtimi rus i Ukrainës shkurtin e vitit të kaluar, papa Françesku të paktën dy herë në javë i është referuar Ukrainës dhe popullit ukrainas që i ka quajtur “martirë” dhe po ashtu ka përdorur shprehje, sikurse agresion dhe mizori, kur u është referuar veprimeve të Rusisë.

Në meshën e Pashkëve, Ati i Shenjtë kërkoi nga Zoti që të “ngushëllojë të plagosurit dhe të gjithë ata që kanë humbur më të dashurit e tyre nga lufta, që të gjithë të burgosurit të kthehen pranë familjeve të tyre. Hapeni zemrën ndaj gjithë komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë fund kësaj lufte dhe të gjitha konflikteve dhe gjakderdhjeve në botë”.

Papa bëri thirrje për paqe në Lindjen e Mesme, teksa dhuna është rritur së fundmi në Jerusalem, por edhe ka pasur sulme ku janë përfshirë Izraeli, Libani dhe Siria.

Tensionet midis Izraelit dhe palestinezëve u rritën pasi javën e kaluar policia izraelite hyri në xhaminë Al-Aksa në Jerusalem, që konsiderohet vendi i tretë më i shenjtë i myslimanëve. Kjo ngjarje nxiti reagimin e ashpër nga bota arabe.

Në mesazhin e tij, papa Françesku po ashtu bëri thirrje që të ndihmohen viktimat e tërmeteve të shkurtit që vranë pothuajse 56.000 persona në Turqi dhe Siri. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR