• e premte, 05 dhjetor 2025

Pakistani e ka hapur kufirin afgan për riatdhesimin e refugjatëve

Pakistani e ka hapur kufirin afgan për riatdhesimin e refugjatëve

Islamabad, 1 nëntor 2025 (MIA) - Pakistani sot ka rihapur një vendkalim kufitar kyç me Afganistanin për të rifilluar riatdhesimin e refugjatëve afganë, duke i dhënë fund një mbylljeje që zgjati disa javë pas përleshjeve vdekjeprurëse midis dy vendeve, raportoi DPA.

"Vendkalimi kufitar "Torkham" është rihapur për riatdhesimin e refugjatëve, por tregtia përtej kufirit mbetet e ngrirë", deklaroi një zyrtar i qeverisë pakistaneze.

Vendkalimi kufitar në provincën veriperëndimore pakistaneze të Hajber Pahtunhva u mbyll më 11 tetor. Mijëra refugjatë janë të bllokuar në kampe të improvizuara pranë Torkham, si dhe në qendra paraburgimi në pjesë të tjera të vendit.

Muajin e kaluar, Pakistani dhe Afganistani përjetuan përplasjet e tyre më të këqija kufitare në dekada për shkak të terrorizmit ndërkufitar.

Islamabadi akuzon Kabulin për strehimin e militantëve përgjegjës për sulmet ndërkufitare. Afganistani i mohon akuzat. Pas përleshjeve që lanë dhjetëra të vdekur në të dyja anët e kufirit, dy fqinjët ranë dakord për një armëpushim, por nuk arritën ta zgjasin atë kur u takuan në Stamboll javën e kaluar.

Të dy vendet ranë dakord të zgjasin armëpushimin për një javë tjetër pas bisedimeve të ndërmjetësuara nga Turqia dhe Katari.

Qeveria pakistaneze nuk ka treguar asnjë butësi ndaj refugjatëve afganë dhe ka urdhëruar mbylljen e më shumë se 50 kampeve të refugjatëve në pjesë të ndryshme të vendit, ku jetojnë dhjetëra mijëra njerëz, raportoi DPA. Njerëzit që u japin me qira prona refugjatëve afganë janë urdhëruar gjithashtu nga autoritetet lokale që të regjistrohen.

Pakistani ka nisur një fushatë masive për të dëbuar refugjatët afganë, duke iu referuar rritjes së numrit të sulmeve, që besohet se janë kryer nga territori afgan dhe po riatdheson më shumë se 1,47 milion njerëz që nga viti 2023. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR