• e hënë, 23 dhjetor 2024

Përleshje në protestat antiqeveritare në zonat kurde në Iran

Përleshje në protestat antiqeveritare në zonat kurde në Iran
Teheran, 21 nëntor 2022 (MIA) – Përleshje të ashpra shpërthyen gjatë protestave të sotme antiqeveritare në zonat e banuara kryesisht me kurdë në Iranin perëndimor dhe veriperëndimor, njofton DPA, duke iu referuar dëshmitarëve okularë. Përleshje ka pasur në qytetet Xhavanrud dhe Piranshehr, ndërsa sipas disa burimeve, forcat iraniane të sigurisë hapën zjarr pa dallim ndaj demonstruesve. Të paktën pesë persona vdiqën në Xhavanrud në një funeral për dy protestuesit e vrarë dje, i cili u shndërrua në një protestë spontane antiqeveritare, thanë dy grupe të të drejtave të njeriut. Sipas Hengav, forcat e sigurisë përdorën municion të vërtetë dhe qëlluan për vdekje shtatë persona, ndërsa Rrjeti për të drejtat e njeriut të Kurdistanit kumtoi për pesë viktima. Agjencia proqeveritare iraniane e lajmeve Fars njoftoi për protestat që u zhvilluan dje dhe raportoi se kishte të shtëna ndaj forcave të sigurisë, duke lënë dy të vdekur dhe katër të plagosur. Fars nuk jep informacion për demonstratat dhe përleshjet e sotme. Raportimet për përleshjet vijnë një ditë pasi forcat e sigurisë intervenuan në protestën në qytetin kurd të Mahabad, me ç'rast sipas banorëve lokalë, vdiqën dhe u plagosën banorë. Për momentin, nuk mund të konfirmohen informacionet për situatën në zonat kurde në Iran, njofton DPA. fb/

QËNDRONI TË LIDHUR