• e hënë, 23 dhjetor 2024

Përfundon debati amendamentues për rebalancin e buxhetit, janë pranuar dhjetë amendamente

Përfundon debati amendamentues për rebalancin e buxhetit, janë pranuar dhjetë amendamente
Shkup, 2 korrik 2022 (MIA) – Përfundon debati amendamentues për rebalancimin e buxhetit për vitin 2022 të Komisionit për financim dhe buxhet. Nga 204 amendamentet e dorëzuara, prej të cilave mbi 170 nga VMRO-DPMNE, 28 nga Aleanca e Shqiptarëve dhe dy nga LSDM-ja, janë pranuar vetëm dhjetë. Në ditën e dhjetë dhe të fundit të debatit, janë pranuar dy amendamentet e LSDM-së që kanë të bëjnë me blerjen e pajisjeve dhe makinerive për institucionet publike shëndetësore. Në fund të debatit nuk kaloi amendamenti i LSM-së, me të cilin punëtorët në sektorin publik duhej të kishin rritje të pagave për 2.806 denarë. Nuk ka kaluar as amendamenti për ndihmën financiare për sektorin privat. Zëvendësministri i Financave Filip Nikolloski deklaroi se tashmë është rënë dakord për rritje të pagave për rreth 90.000 persona në sektorin publik nga gjithsej 130.000. “Për 17.000 të punësuarve në sektorin publik iu është rritur paga minimale nga 15.200 në 18.000 denarë, në arsim për 37.000 persona është rënë dakord për rritje të pagave prej 15 për qind, e cila do të fillojë nga shtatori. Në MPB-në 12.000 persona do të kenë pagë për pesë për qind më të lartë, në kulturë 3.500 persona do të kenë 30 për qind rritje të pagës, në drejtësi dhe prokurori 2.600 persona do të kenë rritje të pagës për 15 për qind, në shëndetësi mbi 20.000 persona do të ketë rritje prej pesë për qind”, tha zëvendësministri Nikolloski. Amendamentet e tjera të refuzuara të VMRO-DPMNE-së, Aleancës së Shqiptarëve, të cilat u debatuan sot, më së shumti kishin të bënin me ndërtimin e qendrave ditore për fëmijët me nevoja të veçanta dhe për të moshuarit, rritjen e pagave në arsim, rritjen e fondit për fëmijët e talentuar dhe një tjetër. Pas diskutimit amendamentues në Komisionin për financim dhe buxhet, Buxheti i kthehet Qeverisë, e cila si propozim i ndryshuar duhet ta dorëzojë në Kuvend, ku brenda pesë ditëve të shqyrtohet në seancë plenare. bs/

QËNDRONI TË LIDHUR