Osmani pas takimit me shefen e diplomacisë finlandeze: Kosova dhe Finlanda kanë partneritet të fuqishëm
- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me ministren finlandeze e Punëve të Jashtme, Elina Valtonen, e cila ka mbërritur sot për vizitë zyrtare në Kosovë, ka thënë se Kosova dhe Finlanda kanë një partneritet të fuqishëm në mbrojtjen e vlerave evropiane, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Prishtinë, 5 shtator 2024 (MIA) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me ministren finlandeze e Punëve të Jashtme, Elina Valtonen, e cila ka mbërritur sot për vizitë zyrtare në Kosovë, ka thënë se Kosova dhe Finlanda kanë një partneritet të fuqishëm në mbrojtjen e vlerave evropiane, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Osmani në faqen e saj në Fejsbuk ka shkruar se ka falënderuar diplomaten finlandeze për mbështetjen e vazhdueshme që vendi i saj i ka dhënë Kosovës në çdo fazë të zhvillimit të saj.
“Në mbrojtjen e vlerave evropiane, Kosova dhe Finlanda janë partnere të palëkundura! “Në takimin me ministren e Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, e falënderova për mbështetjen që shteti i saj i jep Kosovës në çdo fazë, përfshirë në procesin e shtetformimit dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, ka shkruar Osmani, duke thënë se do të vazhdojë angazhimin e saj për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Shefja e diplomacisë finlandeze, Valtonen, sot në mëngjes në aeroportin e Prishtinës është pritur nga homologia e saj kosovare, Donika Gërvalla, pas së cilës të dy ministrat kanë pasur një takim dypalësh dhe më pas kanë mbajtur një konferencë për media, ku kanë theksuar marrëdhëniet miqësore mes dy shtete.
Sipas njoftimeve, Valtonen në Prishtinë do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa pas Kosovës do të vizitojë edhe Shqipërinë dhe Serbinë. mb/
Foto: MIA