• e premte, 05 dhjetor 2025

Osmani për Mexhitin: BDI i besoi drejtimin e komunës, ai e tradhtoi këtë besim

Osmani për Mexhitin: BDI i besoi drejtimin e komunës, ai e tradhtoi këtë besim

Shkup, 14 tetor 2025 (MIA) - Në një debat televiziv në Televizionin Telma, Bujar Osmani, kandidati për kryetar të komunës së Çairit nga Aleanca Kombëtare për Integrim, deklaroi se kundërkandidati i tij nga VLEN dhe ish-nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti, e ka tradhtuar besimin që BDI ia kishte dhënë për ta udhëhequr Komunën e Çairit.

“Ne i kemi besuar, kemi punuar bashkë. Ia kemi dhënë mbështetjen tonë deri në vitin 2017. Në vitin 2017, Izet Mexhiti duhej të paraqitej në fushatën tonë që t’i fitonim zgjedhjet. Ai nuk ishte fare pjesë e fushatës,” tha Osmani, duke iu referuar kohës kur e mbanin të fshehur Mexhitin, i cili më parë kishte qenë kryetar i Komunës së Çairit për 12 vjet.

Osmani kujtoi se e njëjta gjë po ndodh edhe në këtë fushatë.

“Tani, as kryetarin aktual nuk e kemi. Do të thotë, ne duhet t’i fshehim kryetarët e komunave që t’i fitojmë zgjedhjet,” theksoi Osmani.

Sipas Osmanit, qytetarët nuk duhet të jenë instrument në lojërat partiake. Ata meritojnë llogaridhënie, transparencë dhe një vizion të qartë, e jo kandidatë që fshihen për të mos ia kujtuar opinionit dështimet e tyre.

Ndërkohë, pas akuzës së Izet Mexhitit në debatin e sontëm se Bujar Osmani jeton në një ndërtesë pa leje, Osmani reagoi qartë duke e quajtur këtë manipulim nga Mexhiti.

“Kjo është një manipulim lidhur me ndërtimin pa leje dhe një keqpërdorim i figurës së babait tim të ndjerë, i cili sot nuk mund të përgjigjet për këtë pyetje. Sa i përket ndërtimeve pa leje në Çair, i gjithë shteti e di se bëhet fjalë për një proces të krimit të organizuar, ku mafia urbane, në bashkëpunim me komunën, i ka uzurpuar të gjitha parcelat shtetërore, ka ndërtuar, i ka antidatuar objektet – duke i paraqitur sikur janë ndërtuar para vitit 2011. Madje, edhe arkivi është djegur. Bëhet fjalë për qindra milionë euro të nxjerra nga qytetarët, dhe për këtë do të vendosë gjykata".

Osmani tha se qytetarët janë mashtruar dhe po jetojnë në një makth, pa dokumente pronësie dhe pa siguri për banesat e tyre.

“Banorët e ndërtesës ‘Titanik’, e cila është ndërtuar pa leje, po jetojnë në makth. Në ndërtesa të tjera, banesat janë rishitur disa herë. Por ne do t’i ndihmojmë njerëzit që me ndershmëri kanë blerë banesat e tyre - ndërsa ndërtim i ri pa leje nuk do të ketë më kurrë”, tha Osmani.

QËNDRONI TË LIDHUR