Osmani drejtuar Mexhitit: 20 vjet ka punuar pa plan, tani do të bëjë Masterplan!
- Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në debatin e emisionit “Top Tema” në televizionin Telma, reagoi ashpër ndaj faktit që, pas dy dekadash qeverisjeje, ekipi aktual vetëm tani po propozon një masterplan urbanistik për Komunën.
- Post By Melahat Baftija
- 23:03, 14 tetor, 2025
Shkup, 14 tetor 2025 (MIA) - Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në debatin e emisionit “Top Tema” në televizionin Telma, reagoi ashpër ndaj faktit që, pas dy dekadash qeverisjeje, ekipi aktual vetëm tani po propozon një masterplan urbanistik për Komunën.
“Plani nuk bëhet pas njëzet vitesh. Kjo do të thotë se për njëzet vjet është punuar pa masterplan. Është si të ndërtosh diçka pa projekt bazë e pa plan. Dhe tani, pasi gjithçka është ndërtuar e është krijuar kaosi, po bëjmë plan? Kjo është krejtësisht joserioze", tha Osmani.
Ai theksoi se Çairi është shembulli më i qartë i keqmenaxhimit dhe mungesës së vizionit, por se ndryshimi do të fillojë me një qasje tërësisht të re dhe planifikim sistematik që nga dita e parë.
“Unë hyj që në fillim me plan. Së bashku me studion e Michel Rojkind e kemi parë Çairin nga një perspektivë tjetër - jo për të bërë projekte vetëm për të marrë vota, por për të identifikuar fillimisht problemet. Çdo projekt që është premtuar është zgjidhje për një problem konkret", theksoi Osmani.
Ai shpjegoi se qasja e tij është humane dhe vizionare, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës dhe funksionalitetit të komunës.
“Gjithmonë kemi parë nga perspektiva e njeriut që jeton në Çair, që ka fëmijët që ecin nëpër këto rrugë, por edhe nga këndvështrimi i një mjeku - për ta humanizuar gjithë hapësirën", shtoi Osmani.
Në vizionin e tij për zhvillimin urban, Osmani paralajmëroi disa zgjidhje të mëdha infrastrukturore që do ta modernizojnë Çairin.
“Me ndërtimin e një nënkalimi, një sheshi që e quajtëm ‘Liria’, dhe një parkingu nëntokësor, po krijojmë një zgjidhje funksionale për rrugën ‘Cvetan Dimov’. Edhe lidhja midis ‘Xhon Kenedi’ dhe ‘Nikolla Karev’ është shumë e rëndësishme, sepse Çairi ka dy pika kyçe ku qarkullimi bllokohet - këto projekte do ta ndryshojnë pamjen e komunës”, deklaroi Osmani.
Ai shtoi se nuk do të vendosë afate për projektet që kërkojnë koordinim të thellë institucional, por do të fillojë me "prishjen" e mentalitetit në komunë - atë që thotë “asgjë nuk mund të ndryshohet”.
“Këtë e pashë te qytetarët. I dëgjoj: ‘Kjo nuk bëhet, ajo nuk bëhet’. Për ‘Cvetan Dimov’ më thanë se nuk mund të realizohet, por shkova në Ferizaj - atje e kanë bërë të njëjtin projekt", tha Osmani.
Ai shpjegoi se vizioni për Çairin nuk është një plan afatshkurtër politik, por një marrëveshje shoqërore me qytetarët.
“Vizionin tim për Çairin e kam paraqitur si marrëveshje me qytetarët, jo si pjesë të mandatit tim. Dua t’u tregoj njerëzve se mund të bëhet ndryshe. Sepse për njëzet vjet është i njëjti njeri. Dhe njerëzit kanë filluar të mendojnë se ai është i vetmi univers. Kur i pyes pse nuk kërkojnë më shumë, më thonë: ‘E tillë është komuna jonë’. Jo, Çairi meriton më shumë", përfundoi Osmani.
Në këtë përballjen parazgjedhore Osmani, përshkroi mënyrën se si është drejtuar komuna si një sistem klientelist e privatizues që ka shkelur interesin publik në Çair.
“Çairi mund të rregullohet - ka burime të mjaftueshme. Por ato me vite kanë përfunduar aty ku nuk duhet. Unë hyj me ndershmëri, disiplinë dhe përkushtim, ashtu si në çdo institucion që kam udhëhequr, dhe dal pa asnjë njollë", theksoi Osmani.
Me një ton të ashpër politik, Osmani hapi disa pyetje që, sipas tij, kërkojnë përgjigje urgjente.
“Kush dhe pse e privatizoi ngrohtoren? Kush përfiton ndërkohë që qytetarët paguajnë fatura të larta dhe thithin ajër të ndotur? A është Çairi peng i rretheve oligarkike të afërta me Mexhitin?”, pyeti Osmani.
Ai paralajmëroi tolerancë zero ndaj korrupsionit dhe theksoi domosdoshmërinë e përgjegjësisë publike.
“Premtoj publikisht: nëse për 100 ditë korrupsioni nuk ulet në zero në Çair, unë nuk vazhdoj më tutje. Le të gjykojë publiku. Emri im nuk është monedhë për pazare nën tavolinë”, deklaroi Osmani.
Në pjesën që lidhej me energjetikën, Osmani e lidhte këtë temë me fotografinë më të gjerë politike të institucioneve të kapura.
“Gazifikimi - po. Sisteme moderne dhe transparente ngrohjeje - po. Por së pari duhet ta kthejmë kontrollin tek qytetarët”, tha ai.
Osmani theksoi se nga këto zgjedhje nuk kërkon asgjë për vete, por që Çairi të rifitojë paratë, rrugët dhe dinjitetin e vet.
“Kjo nuk është vetëm një fushatë, kjo është një betejë kundër mafies urbane dhe klientelizmit. Do t’i hapim të gjitha librat, do t’i ndërpresim shantazhet dhe do t’ia kthejmë komunën qytetarëve. Çairi meriton ajër, rregull dhe drejtësi - jo monopole private dhe arka partiake”, përfundoi Osmani.
Foto: Shtabi zgjedhor i Bujar Osmanit