• e enjte, 04 dhjetor 2025

Orban veçmë ka biseduar me Trampin, për sot priten edhe bisedime me Putinin për takimin e tyre në Budapest

Orban veçmë ka biseduar me Trampin, për sot priten edhe bisedime me Putinin për takimin e tyre në Budapest

Budapest 17 tetor 2025 (MIA) - Kryeministri hungarez, Viktor Orban, publikoi se ka biseduar me presidentin amerikan, Donald Tramp dhe se janë në vazhdim përgatitjet për një takim midis tij dhe presidentit rus, Vlladimir Putin për ndëprerjen e luftës në Ukrainë. 

"Sapo përfundova telefonatën time me presidentin, Donald Tramp. Përgatitjet për samitin e paqes SHBA-Rusi po vijojnë. Hungaria është një ishull i paqes!", shkroi Orban në platformën "Iks". 

Në intervistën për Radio Koshut mëngjesit e sotëm, Orban publikoi se sot do të bisedojë edhe me Putinin. 

"Samiti paqësor në Budapest mund të zhvillohet në afat prej dy javësh", tha kryeministri hungarez. 

Sipas tij, Hungaria është vendi i vetëm ku mund të zhvillohen negociata midis presidentëve të SHBA-së dhe Hungarisë. 

"Ata kërkojnë një mjedis të parashikueshëm", precizoi ai. 

Trampi dje deklaroi se Hungaria duhet të përgatitet në mënyrë të tillë që një takim i ministrave të Punëve të Jashtme të caktohet për një javë, ndërsa presidentët mund të takohen në Budapest një javë më pas. 

Orbani deklaroi se dje kishte dhënë udhëzime për të formuar një komitet organizativ dhe se puna për të kishte filluar. 

Ai tha se Bashkimi Evropian nuk negocion me Putinin, as si 'ndihmës i Donald Trampit', megjithëse, siç deklaroi, "Evropa duhet të ndjekë rrugën e saj diplomatike dhe të hapë një kanal të pavarur Rusi-BE". 

Gjatë telefonatës së djeshme, Trampi dhe Putini ranë dakord për një takim të nivelit të lartë të delegacioneve të tyre, pas çka të dy janë planifikuar të takohen në Budapest. 

"Presidenti Putin dhe unë do të takohemi në një lokacion të dakorduar në Budapest për të parë nëse mund t’i japim fund kësaj lufte famëkeqe midis Rusisë dhe Ukrainës", shkroi Tramp në profilin e tij në "Truth Social". 

Ai deklaroi se ai dhe Putini kishin një diskutim të gjatë rreth tregtisë midis Rusisë dhe SHBA-së pas përfundimit të luftës me Ukrainën. 

Ai theksoi se Putini i përgëzoi për "arritjen e madhe të paqes" në Lindjen e Mesme, për të cilën "ëndërruan me shekuj". 

"Besoj vërtet se suksesi në Lindjen e Mesme do të ndihmojë negociatat tona për t'i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës", tha presidenti amerikan. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR