• e premte, 05 dhjetor 2025

KB-ja paralajmëron se miliona refugjatë do të përballen me dimër të ftohtë shkaku i ndihmës së pakët

KB-ja paralajmëron se miliona refugjatë do të përballen me dimër të ftohtë shkaku i ndihmës së pakët

Gjenevë, 11 nëntor 2025 (MIA) - Miliona refugjatë dhe njerëz të zhvendosur në mbarë botën po përgatiten për një dimër të ftohtë me shumë më pak ndihmë sesa në vitet e kaluara, kumtoi Agjencia e OKB-së për refugjatët (UNHCR). 

Dominik Hajd nga UNHCR-ja deklaroi se, për shkak të reduktimit të papritur të ndihmës nga Gjermania, SHBA-ja dhe shumë vende të tjera, mbështetja për refugjatët këtë dimër do të jetë "shumë më e vogël".

"Buxhetet humanitare janë të sforcuara deri në kufij dhe ndihma dimërore që ofrojmë do të jetë shumë më e vogël këtë vit", tha Hajd.

"Familjet do të duhet të durojnë temperaturat e ulëta pa gjëra që shumica prej nesh i marrin si "të mirëqena": strehim të përshtatshëm, izolim, ngrohje, batanije, rroba të ngrohta ose barna", theksoi ai.

UNHCR-ja dëshiron të mbledhë mjete nga donatorë privatë për të kompensuar pjesërisht mbështetjen e reduktuar nga qeveritë. Organizata bëri apel për donacione, me qëllim mbledhjen e të paktën 35 milionë dollarëve.

Paratë do të shfrytëzohen për të riparuar shtëpitë e bombarduara dhe për të izoluar të tjerat, kumtoi agjencia. Familjet do të marrin batanije dhe para për barna dhe ushqime të ngrohta.

Sipas agjencisë, veshjet dimërore për një fëmijë refugjat në Moldavi kushtojnë 95 dollarë. Për ekuivalentin e 30 dollarëve, një familje në Afganistan mund të blejë një sobë tradicionale. Për 120 dollarë, një familje në Liban mund ta bëjë strehimin e saj rezistente nga dimri.

Agjencia kumtoi se po përpiqej të ndihmonte njerëzit në Ukrainë, të cilët po përballen me dimrin e katërt në luftë, me temperatura që shpesh bien në minus 20 gradë Celsius, si dhe më shumë se dy milionë afganë të cilët u detyruan të ktheheshin në atdheun e tyre, disa prej tyre "me duar të zbrazura dhe me pak perspektivë" pasi kthimit nga Pakistani dhe Irani. rq/

Foto: DPA

QËNDRONI TË LIDHUR