• e hënë, 23 dhjetor 2024

OBSH e mori raportin për sulm në qendrën për vaksinim të fëmijëve në pjesën veriore të Gazës

OBSH e mori raportin për sulm në qendrën për vaksinim të fëmijëve në pjesën veriore të Gazës

Gjenevë, 3 nëntor 2024 (MIA) - Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka marrë raportin për një sulm në qendrën e vaksinimit kundër paralizës për fëmijë në Rripin e Gazës, njoftoi DPA.

"Gjashtë persona, përfshirë katër fëmijë, janë plagosur", shkroi drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Ad'hanom Gebrejesus në rrjetin social X, pa përmendur se kush qëndron pas sulmit. Ai kujtoi se kishte një armëpushim taktik në zonë për të lehtësuar fushatën e vaksinimit.

Mjekët vendas thanë se të paktën tre fëmijë janë plagosur dhe se sulmi është kryer nga ushtria izraelite.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite i shkroi në X se Forcat izraelite të mbrojtjes (IDF) ishin në dijeni të raporteve për palestinezë të plagosur në qendrën e vaksinimit. Sipas tij, hetimet fillestare tregojnë se ushtria izraelite nuk po kryente sulme në zonë në momentin e incidentit.

"Ky sulm, i kryer gjatë një pauze humanitare, kërcënon integritetin e mbrojtjes së shëndetit të fëmijëve dhe mund t'i pengojë prindërit që t'i çojnë fëmijët e tyre për vaksinime", paralajmëroi drejtori i përgjithshëm i OBSH-së.

Ai tregoi se një ekip i OBSH-së ishte në vend pak para sulmit.

Qendra shëndetësore vazhdon të punojë, thanë punëtorët shëndetësorë.

Sipas UNICEF-it, rreth 119.000 fëmijë në Gazën veriore do të marrin dozën e dytë të vaksinës kundër paralizës së fëmijëve. mb/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR