• e premte, 05 dhjetor 2025

Numri i viktimave në sulmin rus ndaj qytetit ukrainas Ternopil është rritur në 31

Numri i viktimave në sulmin rus ndaj qytetit ukrainas Ternopil është rritur në 31

Kiev, 21 nëntor 2025 (MIA) - Numri i viktimave nga sulmi rus me raketa dhe dronë ndaj qytetit perëndimor të Ukrainës, Ternopil, këtë javë është rritur në 31, njoftoi sot trasmetuesi publik ukrainas "Suspilne", duke cituar raportet e policisë.

Ekipet e shpëtimit nga rrënojat e një ndërtese banimi, që u godit të mërkurën, kanë nxjerrë trupat e një nëne dhe dy fëmijëve të saj të vegjël, transmetoi DPA. 

Autoritetet theksuan se 16 persona rezultojnë ende si të zhdukur në dy ndërtesat e banimit të shkatërruara, për të cilat Kievi thotë se u goditën nga një raketë Kh-101 e lëshuar nga një bombardues strategjik mbi territorin rus.

Në këtë sulm u lënduan më shumë se 90 persona, duke e bërë atë një nga sulmet më të këqija të regjistruara në Ukrainën perëndimore që kur Rusia filloi luftën e saj në shkurt të vitit 2022, kujton agjencia gjermane.

Forcat ruse, gjithashtu, në sulmin e së mërkurës shënjestruan infrastrukturën energjetike, duke e dëmtuar më tej rrjetin tashmë të brishtë të energjisë. Operatori kombëtar i rrjetit elektrik, "Ukrenergo", ka vendosur ndërprerje të energjisë elektrike nga 10 deri në 16 orë në të gjithë vendin, ndërsa disa amvisëri në Kiev tani kanë qasje në energji elektrike vetëm për gjashtë orë në ditë, kujton DPA. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR