• e hënë, 23 dhjetor 2024

Një anije ushtarake ruse ka hapur zjarr paralajmërues ndaj një anije transportuese në Detin e Zi

Një anije ushtarake ruse ka hapur zjarr paralajmërues ndaj një anije transportuese në Detin e Zi

Moskë, 13 gusht 2023 (MIA) - Një anije luftarake ruse ka qëlluar sot me të shtëna paralajmëruese në një anije transportuese në jugperëndim të Detit të Zi, hera e parë që Rusia qëllon mbi një anije tregtare që nga largimi nga Marrëveshja e grurit.

Të shtënat u bënë nga një luftanije e Rusisë.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë komunikoi se anija patrulluese Vasili Bikov, detektoi anijen me mallra duke lundruar nën flamurin e Palauit “në rrugë drejt portit ukrainas të Izmailit”.

Kapiteni i anijes së mallrave, Shukru Okan, nuk iu përgjigj kërkesës për t’u ndalur “për inspektim të transportimit të mallrave të ndaluara”.

“Për të detyruar anijen që të ndalej, ka pasur të shtëna paralajmëruese nga luftanija ruse”, tha Ministria e Mbrojtjes përmes një njoftimi.

Një helikopter që bartte personel ushtarak rus më pas ka shkuar për të inspektuar anijen, u tha në njoftim.

Pasi është kryer inspektimi, anija Shukru Okan, është lejuar që të vazhdojë lundrimin.

Izmail tani është porti kryesor prej ku Ukraina eksporton produktet e saj bujqësore.

Pas tërheqjes nga marrëveshja për eksportet e drithërave në korrik, Moska ka sulmuar qytetet-port në rajonin jugor ukrainas të Odesës, prej ku, sipas marrëveshjes paraprake, janë kryer eksportet kryesore të drithërave. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR