• e premte, 05 dhjetor 2025

Netanjahu kërkoi amnisti nga presidenti Hercog në gjykimin për korrupsion

Netanjahu kërkoi amnisti nga presidenti Hercog në gjykimin për korrupsion

Tel-Aviv, 30 nëntor 2025 (MIA) - Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, i cili po përballet me gjyq për akuza për korrupsion, i ka kërkuar zyrtarisht presidentit Isak Hercog amnisti, njoftoi sot zyra e Hercogut, raporton DPA.

Letrat janë marrë si nga Netanjahu ashtu edhe nga avokati i tij, njoftoi zyra presidenciale. Kërkesa tani do t'i përcillet departamentit përkatës të Ministrisë së Drejtësisë, i cili do të mbledhë mendime nga të gjitha autoritetet përkatëse, bëri të ditur zyra.

Ekipi i këshillimit ligjor të Hercogut do të marrë më pas një mendim.

"Zyra e Presidentit është në dijeni se kjo është një kërkesë e jashtëzakonshme që mbart implikime të rëndësishme. Pas marrjes së të gjitha mendimeve përkatëse, Presidenti do ta shqyrtojë kërkesën me përgjegjësi dhe ndershmëri", njoftoi zyra e Hercogut.

Nga mesii i nëntorit, zyra e Hercogut publikoi një letër nga presidenti i SHBA-së Donald Tramp, në të cilën kërkon amnisti. Tramp shkroi se ndërsa respekton pavarësinë e gjykatave izraelite, ai beson se akuzat kundër kryeministrit janë të motivuara politikisht dhe të pajustifikuara, kujtoi agjencia gjermane.

Kur iu drejtua parlamentit izraelit në mesin e tetorit, Tramp i bëri thirrje Hercogut që ta falë Netanjahun.

Gjyqi i Netanjahut vazhdon për më shumë se pesë vjet. Ai akuzohet për pranimin e dhuratave luksoze - bizhuteri, puro dhe shampanjë rozë - me vlerë rreth 174.000 euro (201.300 dollarë) nga bashkëpunëtorë miliarderë.

Netanjahu ka mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat, duke e quajtur rastin një "gjueti shtrigash", kujton DPA. mb/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR