• e hënë, 23 dhjetor 2024

Nënshkruhet Marrëveshje për njohje të ndërsjellë të pensioneve mes Italisë dhe Shqipërisë, do të kenë përfitim 500 mijë qytetarë shqiptarë

Nënshkruhet Marrëveshje për njohje të ndërsjellë të pensioneve mes Italisë dhe Shqipërisë, do të kenë përfitim 500 mijë qytetarë shqiptarë

Tiranë, 6 shkurt 2024 (MIA) - Pas rreth 10 vitesh negociata intensive, Italia dhe Shqipëria e kanë finalizuar sot njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore, gjegjësisht njohjen reciproke të pensioneve.

Nënshkrimi i sotëm i marrëveshjes për njohjen e sigurimeve shoqërore mes Shqipërisë dhe Italisë vjen pas një pune të gjatë që nisi në korrik të vitit 2022.

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani pas nënshkrimit të marrëveshjes vuri në dukje se ky është moment shumë të rëndësishëm për shqiptarët që punojnë në Itali.

Ai vlerësoi përpjekjet 15-vjeçare të grupeve të punës së dy vendeve, por dhe angazhimin personal të ministrit Tajani për të arritur deri të nënshkrimi i marrëveshjes, nga e cila do të përfitojnë më shumë se 500 mijë shtetas shqiptarë dhe mbi 20 mijë shtetas Italianë.

"Janë 15 vite përpjekje, mirënjohje të gjithë atyre që kanë kontribuuar për këtë moment. Mirënjohje ministrit Tajani për kontributin personal”, tha Hasani.

Ministri italian i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani në fjalën e tij theksoi se finalizimi i kësaj marrëveshjeje ofron për shumë persona një siguri dhe një perspektivë pozitive për të ardhmen.

“Një marrëveshje shumë e rëndësishme. Kishte rreth 15 vite që prisnim këtë firmë që garanton të drejtat e punonjësve italianë në Shqipëri apo të punonjësve shqiptarë në Itali për pensionet. Mendoj se ky vendim i përbashkët i Tiranës dhe Romës, ofron për shumë persona një siguri dhe një perspektivë pozitive për të ardhmen”, tha ministri Tajani. mb/

 

QËNDRONI TË LIDHUR