• e shtunë, 04 prill 2026

Në Tiranë mbyllet klinika private "Interneshënëll Mediker", në kërkim pas pronarit Kara

Në Tiranë mbyllet klinika private

Tiranë, 5 shtator 2025 (MIA) - Antikrimi ekonomik i policisë së Tiranës nisi të vëzhgojë për disa muaj klinikën e ndërhyrjeve estetike në kryeqytet “Interneshëll Mediker". Zbulimi i parë që e çoi policinë në dyert e klinikës private, pjesë e “Sante Plus Group”, ishte mosdeklarimi real i fitimeve prej më shumë se 1 viti, në vlerën e 1 milionë eurove. Të paktën 100 blloqe me mandate të pa fiskalizuara u gjetën në klinikë.

Nga hetimet, u zbulua më tej, se në këtë klinikë, shërbimet spitalore kryheshin me produkte të ndaluara për përdorim, të skaduara dhe kontrabandë. U sekuestruan 27 lloje medikamentesh që përdoren për ndërhyrje fillerash, botoksi dhe mbjellje flokësh. 5 punonjës rezultonin të pa siguruar.

Klinika “Interneshënëll Mediker" u bllokua. Por dikush është kujdesur që për të fshehur tek klientët gjurmët e bllokimit nga policia, të vendosë një tabelë në hyrje ku shkruhet: Spitali është në rikonstruksion dhe një numër telefoni, ndoshta për të pritur rezervim.

Gjatë operacionit, i vetmi që u arrestua ishte administratori E.Z. 62 vjeç, ndërsa në kërkim u shpallën 2 bashkë-aksionerët, turku Bilal Kara, 45 vjeç, me një karrierë të gjatë në fushën e ndërhyrjeve estetike, konsull turk në Maqedoninë e Veriut, si dhe Geriana Arapi, 32 vjeçe. Të dy bashkë-aksionerët, sipas burimeve pranë policisë së Tiranës, aktualisht rezultojnë jashtë territorit të vendit ndërsa në vijim, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar pritet lokalizimi dhe arrestimi i tyre.

Nga ky operacion, përveç bllokimit të aktivitetit dhe zbardhjes së skandalit të përdorimit të medikamenteve të rrezikshme, si prova materiale u sekuestruan dhe 6 kompjuterë, të cilët do të ekspertohen për thellim të hetimeve.

Ndërkohë, klinika reklamonte në rrjetet sociale një sërë shërbimesh që ofronin, duke nisur filleri i buzëve, transplanti i flokëve 980 euro, e shumë ndërhyrje të tjera estetike. 

Bilal Kara rezulton të jetë konsull nderi i Maqedonisë së Veriut në Izmir (Turqi). Ai është zgjedhur si konsull nderi 2 vite më parë, me firmën e Bujar Osmanit, ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut në atë kohë. Bilal Kara është njëkohësisht edhe kryetar i Këshillit të biznesit Turqi-Maqedoni e Veriut në Këshillin për Marrëdhënie Ekonomike me Jashtë (DEIK) që nga viti 2018. Po kështu, Bilal Kara rezulton të jetë anëtar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi. rq/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR