• e premte, 05 dhjetor 2025

Në protestat në Francë janë arrestuar 55 persona

Në protestat në Francë janë arrestuar 55 persona

Paris, 18 shtator 2025 (MIA) - Në protestat në mbarë Francën sot u arrestuan 55 persona, prej të cilëve 22 në Marsej dhe shtatë në rajonin e Parisit, sipas raportit të policisë franceze. 

Policia dhe xhandarmëria regjistruan 170 protesta në Francë, duke përfshirë 63 bllokada, ndërsa protestat dëmtuan komunikacionin në disa linja të transportit publik në rajonin e Parisit, raportoi televizioni BFM. 

Disa shkolla të mesme u bllokuan në Montpelje, si dhe Fakulteti i shkencave natyrore, ndërsa një përpjekje për të bllokuar shkollën e mesme "Rene Gos" në Klermont-l'Ero u parandalua me ndihmën e anëtarëve të xhandarmërisë. 

Ministria e Punëve të Brendshme të Francës, vlerësoi se sot pritet të protestojnë në Paris midis 50.000 dhe 100.000 persona, publikoi BFM. 

Sindikatat paralajmëruan pjesëmarrje masive të punonjësve në arsim, studentëve, punonjësve të transportit, shoferëve të taksive dhe punëtorëve të industrisë, ndërsa gati 80.000 policë do të vendosen për të siguruar rendin publik dhe për të parandaluar trazirat. Sipas të dhënave, rreth 33 për qind e mësimdhënësve të shkollave fillore dhe punonjësve të parashkolloreve po marrin pjesë në protesta. 

Ministri i Punëve të Brendshme të Francës, Bruno Rejtajo, herët këtë mëngjes, njoftoi për një "tentativë për bllokadë" në rajonin e Parisit, veçanërisht në stacionet e autobusëve në Obervillie dhe Sen-Deni. Ai konkretisht paralajmëroi për kërcënime të mundshme nga grupet e ekstremit të majtë të cilët mund të përpiqen të depërtojnë në demonstratat zyrtare, duke theksuar se ekzistonte një "rrezik i konsiderueshëm i prishjes së rendit publik". 

Në protestën e mëhershme e mbajtur më 10 shtator u mblodhën gjithsej 197.000 persona, gjithnjë sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme. rq/ 

Foto: arkivi i EPA-s

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR