• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Në portin shqiptar të Durrësit është plotësisht funksionale një doganë e Kosovës

Në portin shqiptar të Durrësit është plotësisht funksionale një doganë e Kosovës
Tiranë, 4 tetor 2022 (MIA) - Në portin më të madh shqiptar të Durrësit ka filluar doganimi i mallrave të destinuar për në Kosovë. Në një postim në Fejsbuk, kryeministri Edi Rama shkruan se "nga sot deti ynë nuk do të jetë më i Kosovës vetëm për turizëm, por edhe për tregti".
"Në portin e Durrësit ka filluar doganimi për mallrat e destinuar për në  Kosovë dhe deti ynë nuk është më i Kosovës vetëm për turizëm, por është  i Kosovës edhe për tregti. Të bashkuar, jo të ndarë. Shqipëria e ardhmja jonë. Nuk ka kohë për të pushuar", shkruan Rama.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dhe homologu i saj kosovar Hekuran Murati, të shoqëruar nga drejtorët e drejtorive doganore të të dy vendeve, kanë vizituar sot zyrën doganore të Kosovës në portin e Durrësit.
Një vlerësim i përbashkët është se doganimi i mallrave në këtë port i mundëson Kosovës daljen në det, gjë që lehtëson daljen e bizneseve kosovare në tregjet ndërkombëtare.
"Sot është një ditë e rëndësishme kur më në fund ka filluar doganimi për të gjitha bizneset në portin e Durrësit. Janë rreth 1040 kompani kosovare që përdorin portin dhe që nga sot do të ulin kohën dhe kostot e doganimit", tha ndër të tjera ministrja Ibrahimaj.
Murati deklaroi se hapja e doganës në portin e Durrësit është një arritje e jashtëzakonshme për ekonominë e Kosovës, kursen kohë dhe kosto për biznesin dhe se kursimet për bizneset që tregtojnë përmes portit të Durrësit janë rreth 2 milionë euro.
Dogana e Kosovës ndodhet në portin e Durrësit që nga viti 2019, por deri më tani bëhej vetëm regjistrimi i hyrjes për mallrat e destinuara për në Kosovë, pa asnjë ndikim në uljen e kostove apo kohës për bizneset dhe konsumatorët.
Në seancën e fundit mes dy qeverive, të mbajtur në qershor të këtij viti, u nënshkrua marrëveshja për bashkëpunim doganor, e cila nënkupton integrimin tregtar mes dy ekonomive. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR