Musa Xhaferi: Do të konsultohemi nëse Talat Xhaferi mund të marrë pjesë në kryesinë e BDI-së
- Post By Besir Saiti
- 15:27, 16 tetor, 2022

Shkup, 16 tetor 2022 (MIA) - Anëtari i Këshillit Mbikëqyrës të BDI-së, Musa Xhaferi, paralajmëroi se do të mbajë konsultime brendapartiake për pjesëmarrjen e kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi në kryesinë e partisë. Xhaferi deklaroi për "TV21" se do të konsultohet nëse është në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.
"Në këtë pikënisje fillimisht do të konsultohemi për pjesëmarrjen e kryetarit të Kuvendit në kryesi, sepse kryesia është organ ekzekutiv dhe nëse është në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën", deklaroi Musa Xhaferi.
Paralajmërimin për shqyrtimin e pjesëmarrjes së kryeparlamentarit në kryesinë e BDI-së vjen pas mbledhjes së djeshme të Këshillit Qendror të partisë, nga e cila Talat Xhaferi u largua herët pasi kishte shprehur vërejtjet për disa vendime kadrore dhe propozimet e tij për anëtarë në organet qeverisëse të partisë nuk ishin pranuar. Talat Xhaferi, sipas TV21, ka kërkuar më shumë përfaqësim të degës së Gostivarit, për të cilën Musa Xhaferi i ka thënë se "Gostivari e ka kryetarin e Kuvendit". bs/