• e diel, 22 dhjetor 2024

Murati: Shkallë e lartë e realizimit të Planit Operativ për Punësim gjatë vitit të kaluar

Murati: Shkallë e lartë e realizimit të Planit Operativ për Punësim gjatë vitit të kaluar
Ohër, 17 shkurt 2022 (MIA) - Drejtori i Agjencisë për Punësim, Bekim Murati, sot në kuadër të vizitës së punës në Ohër realizoi takim me udhëheqësen e Qendrës së Agjencisë, Elvedina Dika, me të cilën bisedoi për Planin Operativ për Vetëpunësim të realizuar në vitin 2021, si dhe për masat që në atë drejtim do të ndërmerren në periudhën e ardhshme. Murati theksoi se Agjencia shënon shkallë të lartë të realizimit të masave të parapara sipas Planit Operativ, konkretisht me 1,5 miliardë denarë të realizuara ose 94,6 për qind nga mjetet e parapara. "Interesim më të madh vitin e kaluar kishte për masën për vetëpunësim, gjegjësisht rreth 1.800 persona të papunë hapën firmat e tyre dhe po mbijetojnë, e madje me kënaqësi të them se edhe i zgjerojnë bizneset me punësime plotësuese", tha ai. Murati paralajmëroi se plani operativ për vetëpunësim do të vazhdojë edhe këtë vit, me siguri se mjetet për këtë qëllim do të jenë në dispozicion nga fillimi i prillit. Për vitin 2022 janë projektuar mjete në vlerë prej 1,73 miliardë denarë përmes buxhetit të Agjencisë për Punësim, ndërsa do të përfshihen të gjitha masat, nga vetëpunësimi, përmes subvencioneve për paga, trajnime për shkathtësi TI dhe të ngjashme. Në Ohër ka 2.403 kërkues aktivë të punës, si dhe 1.827 persona të cilët paraqiten në Agjenci çdo gjashtë muaj. "Përmes Planit Operativ në pjesën e vetëpunësimit vitin e kaluar 78 persona të papunë nga Ohri hapën biznes të tyre, 55 persona të papunë fituan mbështetje përmes subvencioneve për paga, 16 punësime, si dhe masat e tjera si praktikë, trajnime për profesione të caktuara dhe të ngjashme", sqaroi Murati. Sipas udhëheqëses së Qendrës për Punësim në Ohër, Elvedina Dika, sipas aplikacioneve për vetëpunësim janë parashtruar për vitin 2021 pjesa më e madhe e mjeteve të ndara  janë shfrytëzuar për hapjen e shitoreve, sallone të kozmetikës dhe parukerie, si dhe për biznes në sferën e veprimtarisë hotelierike. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR