• e martë, 24 dhjetor 2024

Mishel: BE-ja është e gatshme t'i ndihmojë Marokut pas tërmetit katastrofik

Mishel: BE-ja është e gatshme t'i ndihmojë Marokut pas tërmetit katastrofik

Nju-Delhi, 9 shtator 2023 (MIA) - Bashkimi Evropian është i gatshëm të mbështesë Marokun pas tërmetit vdekjeprurës, ku kanë humbur jetën të paktën 296 persona, deklaroi sot kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishel.

“Mendimet e mia janë me të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi dhe me ekipet e shpëtimit të përfshirë në operacionin e kërkimit”, shkroi Mishel në Platformën X, dikur Tuiter.

“Lajmet për tërmetin janë të frikshme. BE-ja është e gatshme të mbështesë Marokun në këto kohë të vështira”, shkroi Mishel.

Komentet e Mishel erdhën nga kryeqyteti indian i Nju-Delhi, ku ai merr pjesë në Samitin e G20.

Një tërmet i fortë ka goditur Marokun mbrëmë vonë dhe sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë humbur jetën të paktën 296 persona dhe 153 janë lënduar.

Qendra gjeofizike marokene ka njoftuar se tërmeti ka ndodhur në lagjen Igil të Maleve të Atlasit të lartë me magnitudë 7.2 ballë. Shërbimi gjeologjik i SHBA-së vlerësoi magnitudën e tërmetit me 6.8 ballë dhe tha se ishte në një thellësi relativisht të cekët prej 18.5 kilometrash.

Igil, një zonë malore me fshatra të vegjël bujqësore, ndodhet rreth 70 kilometra në jugperëndim të Marakeshit. Tërmeti ka ndodhur pak pas orës 23:00 sipas orës lokale.

Një zyrtar lokal ka deklaruar se shumica e vdekjeve kanë ndodhur pikërisht në zonat malore, të cilat janë të vështira për t'u aksesuar. mb/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR