Merc propozon mekanizëm për t'i dhënë Ukrainës 140 miliardë euro hua nga asetet e ngrira ruse
- Kancelari gjerman Fridrih Merc sot propozoi krijimin e një mekanizmi kompleks evropian për t'i dhënë hua Ukrainës 140 miliardë euro bazuar në pronat e ngrira ruse, pa i konfiskuar ato
- Post By Ramize Qamili
- 21:06, 25 shtator, 2025
Berlin, 25 shtator 2025 (MIA) - Kancelari gjerman Fridrih Merc sot propozoi krijimin e një mekanizmi kompleks evropian për t'i dhënë hua Ukrainës 140 miliardë euro bazuar në pronat e ngrira ruse, pa i konfiskuar ato.
Tre vjet e gjysmë pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, Bashkimi Evropian (BE) po debaton se si të përdorë miliarda euro mjete ruse për të ndihmuar Kievin në luftën e tij, ndërsa pa i konfiskuar ato, gjë që mund të dëmtojë euron ose të rrezikojë pronat evropiane.
Merc përsëriti se Gjermania kundërshton idenë e konfiskimit. Por, sipas tij, një "zgjidhje e qëndrueshme" do të ishte hua pa interes prej 140 miliardë euro, të cilën Kievi do ta shlyente vetëm "pasi Rusia të kompensojë Ukrainën për dëmet e shkaktuara nga lufta".
"Ndërkohë, asetet ruse do të mbeten të ngrira", shkroi kancelari në artikullin në gazetën britanike Fajnenshëll tajms (The Financial Times).
Merc tha se kjo zgjidhje, të cilën ai synon t'ua paraqesë kolegëve të tij të BE-së në Kopenhagë të mërkurën e ardhshme, do të kërkojë "garanci buxhetore nga shtetet anëtare dhe unanimitetin e tyre, ose të paktën mbështetjen e një shumice të madhe shtetesh".
"Ndërkohë, asetet ruse do të mbeten të ngrira", shkroi kancelari në artikullin e gazetës britanike Fajnenshëll tajms (The Financial Times).
Asetet shtetërore ruse jashtë vendit janë ngrirë që nga pushtimi i Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Pjesa më e madhe, rreth 210 miliardë euro, ndodhen në Belgjikë, shtet anëtar i BE-së. Të gjitha vendet e BE-së kanë vendosur tashmë të përdorin interesin e gjeneruar nga këto asete, që arrijnë në disa miliardë euro në vit, për të financuar përpjekjet e luftës së Ukrainës. rq/
Foto: arkivi i MIA-s