Merc do të vendosë nëse do të mbështesë sanksionet kundër Izraelit
- Gjermania do të vendosë nëse do të mbështesë sanksionet e shpallura nga BE-ja ndaj Izraelit para takimit joformal të shteteve anëtare të BE-së në Kopenhagë në tetor, deklaroi mbrëmë kancelari gjerman Fridrih Merc gjatë vizitës në Spanjë.
- Post By Ramize Qamili
- 08:30, 19 shtator, 2025
Berlin, 19 shtator 2025 (MIA) - Gjermania do të vendosë nëse do të mbështesë sanksionet e shpallura nga BE-ja ndaj Izraelit para takimit joformal të shteteve anëtare të BE-së në Kopenhagë në tetor, deklaroi mbrëmë kancelari gjerman Fridrih Merc gjatë vizitës në Spanjë.
Gjatë bisedimeve me kryeministrin spanjoll, Pedro Sançez, Merc tha se lëvizjet e Izraelit në Gazë janë në disproporcion me qëllimet e paralajmëruara dhe theksoi se për Gjermaninë, njohja e shtetësisë palestineze për momentin nuk është lëndë e diskutimit.
"Do të diskutojmë përsëri për këto çështje javën e ardhshme në nivel të kabinetit federal. Supozoj se në takimin joformal të Këshillit më 1 tetor në Kopenhagë do të kemi qëndrim që do të mbështetet nga e gjithë Qeveria gjermane", tha Merc.
Berlini dhe Madridi do të përpiqen të arrijnë zgjidhje për projektin për aeroplanët ushtarakë evropianë të së ardhmes (FCAS) deri në fund të vitit 2025, deklaroi kancelari gjerman.
Komisioni Evropian formalisht i propozoi Këshillit të BE-së të mërkurën pezullimin e marrëveshjejes së tregtisë së lirë me Izraelin për shkak të luftës në Gazë, sanksione kundër Hamasit, ministrave ekstremistë izraelitë dhe kolonëve të dhunshëm, si dhe pezullimin e mbështetjes dypalëshe për Izraelin, me përjashtim të mbështetjes për shoqërinë civile. rq/bsh/
Foto: EPA