• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Mehaj: Armatimi i Serbisë nga Kina dhe Rusia është kërcënim për paqën dhe stabilitetin në rajon

Mehaj: Armatimi i Serbisë nga Kina dhe Rusia është kërcënim për paqën dhe stabilitetin në rajon
Prishtinë, 11 prill 2022 (MIA) – Ministri i Mbrojtjes së Kosovës Armend Mehaj thotë se me furnizimet e fundit me armatim të Serbisë nga Kina,dhe parasegjithash nga Rusia, paraqet kërcënim për paqën dhe stabilitetin në Ballkan, por edhe më gjërë, njofton korrespodenti i MIA-s nga Prishtina. Në postimin e tij në Fejsbuk, Mehaj i bëri thirrje NATO-s dhe OKB-s që “me seriozitetin maksimal të kenë parasysh këtë qasje destruktive dhe të rrezikshme të Serbisë që ndikon seriozisht në minimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë“. “Me blerjen e sistemeve raketore dhe armatimit të ri nga Kina, si dhe sistemeve të mëhershme nga Rusia, rikonfirmohet fuqishëm edhe njëherë sjellja destruktive, shumë e rrezikshme dhe anti-perëndimore e Serbisë. Sipas informacioneve të dy ditëve të fundit, Serbia ka pranuar nga Kina sisteme të reja të armatimit duke shtuar kontingjentin e saj të mëhershëm të pranuar nga Rusia e Bjellorusia. Kjo shfaqje e neveritshme po ndodh në kohën kur BE dhe NATO dhe gjithë bota pro- vlerave euroatlantike është në përballje me sulmuesin e këtyre vlerave, Rusinë dhe aleatët e saj“, shkruan ministri Mehaj. Ai pyet “se nga kush rrezikohet Serbia, apo kundër kujt armatoset Serbia me sistemet më të avancuara sulmuese dhe mbrojtëse? Ç’është kjo hipokrizi? Deri kur me këto standarde të dyfishta?”. “Republika e Kosovës, institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes si dhe ne, populli paqedashës dhe liridashës, kemi shprehur në vazhdimësi shqetësimin e arsyeshëm, si dhe në vazhdimësi kemi reaguar për këtë qasje destruktive dhe të rrezikshme të Serbisë ndaj paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Republika e Kosovës, institucionet dhe populli ynë jemi të vendosur dhe e kemi dëshmuar fuqishëm orientimin tonë euroatlantik me aspiratën e natyrshme për anëtarësim sa më të shpejtë në NATO dhe BE“, shkruan Mehaj. Disa media në mbarë botën kanë raportuar kohët e fundit se Serbia, në një operacion të fshehtë, mori dërgesë të një sistemi të sofistikuar raketor kinez fundjavën e kaluar, duke rritur kontigjentin e armëve të tilla të blera më parë nga Rusia dhe Bjellorusia. bs/

QËNDRONI TË LIDHUR