Mbi 30.000 italianë kanë postuar foto intime të grave në Fejsbuk
- Publiku italian është tronditur pas zbulimit të një grupi në Fejsbuk (Facebook), në të cilin janë postuar foto intime të grave, shpesh të bëra pa dijeninë e tyre.
- Post By Melahat Baftija
- 17:34, 22 gusht, 2025
Romë, 22 gusht 2025 (MIA) - Publiku italian është tronditur pas zbulimit të një grupi në Fejsbuk (Facebook), në të cilin janë postuar foto intime të grave, shpesh të bëra pa dijeninë e tyre.
Fejsbuk e ka hequr grupin (Gruaja ime) "Mia Moglie", i cili kishte rreth 32.000 anëtarë, të cilët ndanin foto të grave të zhveshura, grave që flinin ose në momente intime. Komentet e shpeshta nën foto ishin lëvdata për filmimin sekret.
Meta, kompania mëmë e Fejsbuk, konfirmoi se e kishte mbyllur faqen "për shkak të shkeljeve të politikave të saj mbi shfrytëzimin seksual të të rriturve".
Ne nuk lejojmë përmbajtje që kërcënon ose promovon dhunë seksuale, sulm seksual ose shfrytëzim seksual në platformat tona, theksohet në kumtesën e Metës.
Mijëra njerëz në Itali e kanë raportuar tashmë grupin tek krimi kibernetik. Në Itali, që nga viti 2019 pornografia hakmarrëse ose ndarja e përmbajtjeve seksualisht eksplicite që duhej të kishte mbetur private, është e paligjshme
Shkrimtarja italiane Karolina Kapria theksoi se ndihej e tmerruar nga ajo që kishte parë.
"Kjo lidhje e dhunës me seksualitetin është aq e rrënjosur në kulturën tonë, sa burrat nuk i fshehin emrat dhe fytyrat e tyre dhe shkruajnë në një grup publik", theksoi Kapria.
Ndërsa eurodeputetja e të Gjelbërve Evropianë, Fiorela Zabata deklaroi se nuk është thjesht "argëtim i padëmshëm", por "përdhunim virtual".
"Ne duhet të luftojmë kundër këtyre platformave, kundër kësaj ideje toksike të maskulinitetit, duhet të luftojmë dhe të gjithë duhet të ndërmarrim veprime, si shoqëria civile ashtu edhe politika", theksoi Zabata. mb/
Foto: Fejsbuk