• e premte, 05 dhjetor 2025

Llulla da Silva: Brazili është i gatshëm për bisedime tregtare me SHBA-në, por nën kushte të barabarta

Llulla da Silva: Brazili është i gatshëm për bisedime tregtare me SHBA-në, por nën kushte të barabarta

Brazilia, 4 gusht 2025 (MIA) - Presidenti brazilian Luiz Inasio Llulla da Silva deklaroi se vendi i tij është i hapur për bisedime tregtare me SHBA-në, por vetëm nëse trajtohet si partner i barabartë, publikoi Blumberg.

"Duam të negociojmë. Duam të negociojmë nën kushte të barabarta", tha Llulla të dielën në një ngjarje për partinë e tij të punëtorëve. "Do t'i mbështesim kompanitë tona, do t'i mbrojmë punëtorët tanë dhe do themi: kur do të jeni të gatshëm të negociojmë, propozimet tona janë në tryezë", shtoi ai.

Fjalët e tij erdhën si përgjigje e paralajmërimit të presidentit amerikan Donald Tramp në korrik se do të vendoste tarifa prej 50 për qind për mallrat braziliane nëse Gjykata supreme nuk do të hedhte poshtë çështjen kundër ish presidentit Zhair Bolsonaro, i akuzuar për përpjekje për grusht shtet, pas zgjedhjeve të vitit 2022.

Javën e kaluar, SHBA-të shtynë përkohësisht rritjen e tarifave të planifikuara për 1 gusht dhe përjashtuan një numër të madh produktesh nga kjo. Në të njëjtën kohë, vendosën sanksione ndaj gjyqtarit të Gjykatës supreme, Alesandri de Morais i cili po mbikëqyr gjykimin e Bolsonaros.

Trampi të premten deklaroi se Llulla mund ta telefononte, gjest që ministri i Financave të Brazilit, Fernando Hadad e përshkroi si "një hap përpara". Hadad shtoi se së shpejti do ta diskutojë çështjen me sekretarin e Financave amerikane, Skot Besant.

Edhe pse konfirmoi gatishmërinë e tij për dialog, Llulla kritikoi Uashingtonin. Ai e përshkroi përdorimin e çështjeve politike për të vendosur sanksione ekonomike si "të papranueshme" dhe përsëriti akuzat se Trampi po minon multilateralizmin global.

Llulla gjithashtu, theksoi se nuk do të dorëzohet nga përpjekjet për të zvogëluar varësinë nga dollari amerikan në tregtinë e jashtme, proces që Brazili po zbaton në kuadër të grupit BRIKS-it pavarësisht mungesës së progresit konkret.

"Sot Brazili nuk është aq i varur nga SHBA-ja siç ishte dikur. Nuk do ta lë pas dore rëndësinë e marrëdhënieve tona diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës", por prej tani, ata duhet të dinë se ne kemi progres me të cilat mund të negociojmë", tha ai. "Kemi pozicione, kemi ekonomi dhe interesa politike që duhet t'i vendosim në tryezë".

Qeveria e presidentit brazilian po përpiqet të zgjerojë tregtinë me tregje të tjera, duke përfshirë Kinën dhe vendet e Azisë Juglindore. Javën e kaluar, Kina miratoi eksportet për 183 kompani të reja braziliane për kafe, kumtoi ambasada e vendit në Brazil në një publikim në mediat sociale.

Brazili është prodhuesi më i madh i kafesë në botë. Kafeja nuk është ndër produktet e liruara nga tarifat më të larta të vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Tregu në SHBA përbën rreth 16 për qind të dërgesave të kafesë braziliane. rq/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR