• e hënë, 23 dhjetor 2024

Lahbib: Nga Kosova dhe Serbia presim de-përshkallëzim, dialogu është rruga e vetme drejt paqes së përhershme

Lahbib: Nga Kosova dhe Serbia presim de-përshkallëzim, dialogu është rruga e vetme drejt paqes së përhershme

Prishtinë, 24 nëntor 2023 (MIA) - Ministrja e Punëve të Jashtme të Belgjikës, Hadja Lahbib, në vizitën e saj të parë në Prishtinë ka deklaruar se dialogu mes Kosovës e Serbisë është e vetmja formë për paqen afatgjate të rajonit.

“Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është një çështje që e kam ngritur edhe dje në Beograd, me të njëjtën porosi do e përçoj edhe këtu. E dimë se është bërë një përparim i dukshëm në normalizimin e marrëdhënieve, por tensionet janë ende të larta. E dimë nga përvoja se vetëm me dialog mund të shkojmë tutje, në një mënyrë të pranueshme për të gjithë popujt. Përgjigja që po e kërkojmë është de-eskalimi, kjo është e vetmja mënyrë për paqen afatgjate dhe që dy palëve do t’u jep mundësia e integrimit në BE”, ka deklaruar Lahbib në konferencën e përbashkët me homologen e saj, Donika Gërvalla.

Ajo më tej ka shtuar se Belgjika ka qenë ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën, teksa ka përmendur diasporën shqiptare në Belgjikë, duke e çmuar për kontributin e tyre në jetën sociale.

"Jemi të lidhur nga diaspora dinamike dhe gjithnjë në rritje e Ballkanit. Janë mijëra kosovarë të cilët e kanë shndërruar Belgjikën në shtëpi të tyre dhe janë bërë pjesë e integruar e jetës sociale të Belgjikës, duke kontribuar në rritjen ekonomike dhe kulturore”, ka thënë Lahbib.

Ndërkaq nikoqirja e takimit, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se ky takim u mbajt për thellim të marrëdhënieve ndërshtetërore. Ajo tha se e ka njoftuar homologen e saj për përparimin e Kosovës në sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik, reformat institucionale dhe reformat në përgjithësi.

“E përsërita përkushtimin e Kosovës në rrugën euro atlantike, duke pasur parasysh që Belgjika nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të kryesojë Bashkimin Evropian dhe i urova suksese në punën shumë sfiduese”, tha Gërvalla. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR