• e martë, 19 nëntor 2024

Kurti: Nëse nënshkruhet propozimi i BE-së për Asociacionin e komunave serbe, menjëherë shkon në Gjykatë Kushtetuese

Kurti: Nëse nënshkruhet propozimi i BE-së për Asociacionin e komunave serbe, menjëherë shkon në Gjykatë Kushtetuese

Prishtinë, 27 tetor 2023 (MIA) -  Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për shtyp sot deklaroi se drafti i Asociacionit, i paraqitur nga diplomatët perëndimorë, do të kontrollohej menjëherë nga Gjykata Kushtetuese për ta vlerësuar kushtetutshmërinë nëse dje në Bruksel do të kishte nënshkrim të marrëveshjes. Ai ka treguar se kjo iu tha nga vetë diplomatët që ishin në vizitë në Kosovë të shtunën.

Sipas Kurtit, emisarët amerikano-evropianë kanë thënë se drafti i Asociacionit është shkruar me kujdes ndaj strukturës së Kushtetutës së Kosovës. 

“Më 21 tetor, nga emisarët amerikano-evropianë na është thënë se drafti për vetëmenaxhim është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe që nëse do të nënshkruhej aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Kushtetuesja të japë vlerësimin e saj për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, ka thënë Kurti në një konferencë për media të premten.

Shefi i Qeverisë së Kosovës ka thënë se Serbia refuzoi sërish ta nënshkruante marrëveshjen, përfshirë draftin e Asociacionit.

Ai ka akuzuar Serbinë për nxitje të dhunës dhe se qëndron prapa sulmit terrorist më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit. Ka deklaruar po ashtu se në takim me liderët e Evropës ka kërkuar dënim të Serbisë “pasi mosndëshkimi bëhet inkurajim për përsëritje”. Kurti po ashtu ka thënë se ka kërkuar ekstradim të terroristëve në Kosovë që ata të përballen me drejtësinë këtu.

Deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, kundërshton pranimin në OKB dhe nuk e pranon integritetin territorial të Kosovës, Kurti i ka cilësuar si kërcënim direkt nga Serbia dhe shkelje të marrëveshjeve.

Ai ka refuzuar të japë detaje për planin e ri evropian duke thënë se kjo është kërkuar nga emisarët.

“E respektojmë kërkesën e pesë emisarëve, që deri sa na kërkohet të mos flasim konkretisht për të. Por më e rëndësishmja është që emisarët kanë deklaruar se e kanë shkruar me kujdes duke pasur parasysh Kushtetutën dhe ligjin dhe se përgjigjen për çfarëdo dilema do ta japë gjithnjë Gjykata Kushtetuese”, ka shtuar Kurti.

Sa i përket masave ndaj Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se ka një dakordim informal në BE që ato janë të padrejta ndaj Kosovës.

“Ka një dakordim informal në BE që masat ndaj Kosovës janë të padrejta dhe të dëmshme”, ka thënë ai në konferencë. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR