• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kovaçevski: Gjatë Ramazanit dërgojmë mesazhe për solidaritet

Kovaçevski: Gjatë Ramazanit dërgojmë mesazhe për solidaritet
Shkup, 29 prill 2022 (MIA) - Kryeministri i Republikës së Maqedonisë të Veriut, Dimitar Kovaçevski, sonte organizoi iftar për anëtarët e Qeverisë dhe përfaqësuesit e partive të koalicionit, si dhe përfaqësuesit e bashkësisë fetare islame dhe organizatave tjera shoqërore që e praktikojnë fenë islame. Duke iu uruar mirëseardhjen, kryeministri Kovaçevski në fjalimin e tij theksoi se është i nderuar t'i mirëpresë ata si mysafirë gjatë agjërimit, kur familjet dhe miqtë mblidhen si shprehje e respektit të ndërsjellë. “Agjërimi i Ramazanit është një periudhë kur familjet mblidhen, miqtë shoqërohen dhe i përkushtohen vetreflektimit dhe konteplimit. Është një nder i veçantë për mua që keni pranuar ftesën për të qenë bashkë sonte në përmbushjen e detyrave tuaja të shenjta. Duke ndarë dhe nderuar njëri-tjetrin në muajin kur bashkëqytetarët tanë myslimanë festojnë Ramazanin, ne dërgojmë mesazh solidariteti dhe shtrirje duarsh. Këto janë festa që na mësojnë të gjithëve për mëshirën, mirësinë, dhënien e dashurisë, kujdesin dhe faljen ndaj të tjerëve”, theksoi Kovaçevski në fjalimin e tij. Agjërimi festiv, siç tha kryeministri, është heqja dorë nga kënaqësitë tokësore dhe sensuale që është një vlerë e përbashkët e shumë feve – përfshirë edhe krishterimin. “Ne kemi nevojë për agjërim dhe abstenim për të forcuar shpirtin tonë dhe për të pranuar se ndryshimet që duam të bëjmë duhet të fillojnë me ne dhe komunitetet tona.Me çdo iftar gjatë Ramazanit ne fitojmë mundësinë për të inkurajuar dhe ushqyer komunitetin tonë. Republika e Maqedonisë Veriore, si shtet dhe familje e feve të ndryshme, të cilat jetojnë në harmoni me njëra-tjetrën, vazhdojnë traditën që brezat tanë të mëparshëm na lanë si trashëgimi. Duke ndarë dhe festuar së bashku ne bëhemi më të afërt. Duke respektuar vlerat e përbashkëta që forcojnë komunitetin tonë, ne do të vazhdojmë me sukses të ndërtojmë shoqërinë tonë të vetme për të gjithë. Ne e zhvillojmë me sukses këtë koncept bazuar në respektimin e traditave të ndryshme fetare, si një shtyllë e sistemeve të ndërtuara të vlerave të barazisë dhe dialogut të ndërsjellë të mirëkuptimit”, u shpreh kryeministri Kovaçevski. bs/

QËNDRONI TË LIDHUR