• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kosova kërkon nga Perëndimi që të ndërmarrë masa kundër Vuçiqit: Ndalojeni para se të fillojë lufta

Kosova kërkon nga Perëndimi që të ndërmarrë masa kundër Vuçiqit: Ndalojeni para se të fillojë lufta

Prishtinë, 7 shtator 2024 (MIA) - Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe SHBA-së që të marrin masa ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Gërvalla, ka reaguar lidhur me mbylljen e kufirit Kosovë-Serbi nga serbët e maskuar, ku ka thënë se kanë ndaluar makinat me regjistrim të Gjermanisë dhe nuk po i lënë shqiptarët të kalojnë kufirin.

Në një shkrim në platformën ‘Iks’, ajo ka shkruar se policia e Vuçiqit po e mbështet atë përshkallëzim racist, duke parë dhe duke mos bërë asgjë.

“Kosova do ta mbajë kufirin e mbyllur deri sa të garantohet lëvizja e lirë dhe shqiptarët të sigurohen nga skenat më të këqija të kriminelëve serbë të maskuar, që i ndjekin e kërcënojnë sërish" ka shkruar Gërvalla.

Ajo i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të marrin masa ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

"Ne i bëjmë thirrje BE-së dhe SHBA-së që të kundërshtojnë me vendosmëri hapat e ardhshëm përshkallëzues të Vuçiqit. Ai duhet të ndalet para se të hyjë në luftë”, ka theksuar Gërvalla.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla dje njoftoi për mbylljen e pikës kufitare në Bërnjak. Në një rast, sipas Sveçlës, një familje që udhëtonte nga Kosova për në Gjermani nuk ishte në gjendje të vazhdonte udhëtimin e tyre dhe u kthye me forcë. Ai i quajti këto akte fashiste dhe tha se po ndodhin para policisë së Serbisë, të cilën e quajti bashkëpunëtor.

Rrugët e tjera në Serbi që të çojnë në pikat kufitare me Kosovën, Merdare dhe Jarinje, janë bllokuar të premten pasdite nga grupet që protestojnë kundër vendimeve të autoriteteve të Kosovës në veri të Kosovës.

Bllokada u njoftua nga "Këshilli i Bllokadës së Serbisë" pasi Policia e Kosovës mbylli pesë zyra të strukturave paralele serbe në veri të vendit, të populluara me shumicë serbe, me dyshimin për falsifikim të dokumenteve.

Në aksionin e 30 gushtit janë mbyllur zyrat e katër komunave paralele - Mitrovicës, Leposaviqit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, si dhe zyra e Qarkut të Mitrovicës.

Komuniteti ndërkombëtar e ka kritikuar qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti për këtë dhe veprime të tjera në veri të Kosovës, duke i kërkuar asaj që të përmbahet nga “veprimet që mund të nxisin tensione”.

Pas paralajmërimit të bllokadës, institucionet e Kosovës u bënë thirrje qytetarëve që të shmangin kalimin nga Serbia. Ministria e Punëve të Jashtme ka kërkuar nga qytetarët që të shmangin transitin nëpër pikat kufitare me Serbinë, ndërsa Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Kufijve ka kërkuar që të mos kalohet kufiri as në vendkalimin e vetëm me Malin e Zi, Kulla. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR