• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kompania "Kiel" do të ndërtojë fabrikë edhe në Zonën Zhvillimore Teknologjike Industriale në Tetovë

Kompania

Tetovë, 23 nëntor 2022 (MIA) Përfaqësuesit e kompanisë gjermane "Kiel" së bashku me drejtorin e Drejtorisë për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale të Maqedonisë (DZZHTI) sot nënshkruan marrëveshje qëllimi i së cilës është të fillojë të ndërtohet një kapacitet shtesë prodhues i kompanisë së tyre në Zonën Zhvillimore Teknologjiko-Industriale të Tetovës. Nënshkrimi u bë në objektin ekzistues të kompanisë në afërsi të zonës në fshatin Zhelinë nga Jurgen Mill, drejtori i "Kiel Internacional" dhe Kristian Shand menaxher i përgjithshëm i "Kiel" për Maqedoninë, si edhe Jovan Despotovski, drejtor i DZZHTI.

"Jemi krenarë me këtë investim shtesë në Maqedoninë e Veriut. Do ta rrisim prodhimtarinë dhe numrin e operacioneve. Investimi ynë është rreth nëntë milionë euro, ndërsa do të punësohen 150 punonjës shtesë në disa vitet e ardhshme. Kjo do të jetë gjithsej 300 punonjës për "Kielin" në Maqedoni", deklaroi Shand.

Mill potencoi se ky investim e potencon rëndësinë e Maqedonisë së Veriut si lokacion për planet e tyre në të ardhmen. "Kur filluam para pesë vitesh nuk ishim të sigurt se si do të zhvillohet e ardhmja. Por sot jemi krenarë që kemi gjetur kolegë shumë të motivuar këtu dhe arritëm të vendosim prodhimtari efikase për ulëset e pasagjerëve", deklaroi Mill.

"Kiel" është kompania e parë e cila e zgjeron prodhimtarinë në një prej Zonave Zhvillimore Teknologjiko-Industriale, për çka drejtori Despotovski tha se është duke u bërë nën kritere shumë të qarta dhe precize.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi potencoi se institucionet janë duke punuar në politika dhe vendime shtesë me qëllim që të miratohet edhe një ligj i cili do t'u mundësojë kompanive të investojnë.

"Është Ligji i Zonave Industriale, ligj i cili si dhe ligjet të cilat edhe aktualisht janë në kompetencë të komunave do të mund të merren nga Drejtoria për ZZHTI", tha Bekteshi.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski porositi se investimet e huaja në Maqedoninë e Veriut janë duke u rritur, janë duke e rritur prodhimtarinë, eksportin dhe të punësuarit.

"Është kënaqësi e madhe kur në kushte të krizës më të madhe ekonomike dhe energjetike Maqedonia e Veriut është destinacion për investime të reja të prodhuesve liderë si grupacioni ndërkombëtar Kiel, që punën në nivel global me reparte prodhimi në SHBA, Gjermani, Poloni, Holandë dhe Turqi, ndërsa është e pranishme edhe në tregjet aziatike. Kompaninë e larta teknologjike janë duke investuar në vend dhe marrin vlerë të re të shtuar për ekonominë tonë. Kjo për ne si Qeveri është edhe një konfirmim se jemi duke ofruar ambient afarist stabil dhe para së gjithash të parashikueshëm që kompanitë të mund t'i realizojnë planet e tyre shumëvjeçare", tha Kovaçevski.

Ambasadorja gjermane në vend, Anke Holshtajn para të pranishmëve foli për rëndësinë e investimeve të reja. "Klima e besueshme e bashkëpunimit me Qeverinë e Maqedonisë është një shenjë e rëndësishme e cilësisë për vendndodhjen e Maqedonisë së Veriut. Së bashku do të vazhdojmë ta kultivojmë atë - në mënyrë që ata që janë tashmë këtu të mund të punojnë me sukses, si dhe të reklamojnë më tej Maqedoninë e Veriut si një destinacion të mirë për investime", tha Holshtajn.

Sipas përfaqësuesve të Qeverisë për momentin në ZZHTI janë midis 30 dhe 35 klientë aktivë. Investitorët gjermanë deri më tani kanë marrë pjesë me 15 deri në 20 për qind të investimeve të përgjithshme në ZZHTI, ndërsa me investimet më të reja Gjermania u bë investitori më i madh në ZZHTI me pjesëmarrje tri herë më të madhe, gjegjësisht afro gjysmën e investimeve. as/shk/

QËNDRONI TË LIDHUR