• e hënë, 23 dhjetor 2024

KDI: Arrestimet për keqpërdorim me rezervat shtetërore tregojnë në korrupsion të nivelit të lartë në Kosovë

KDI: Arrestimet për keqpërdorim me rezervat shtetërore tregojnë në korrupsion të nivelit të lartë në Kosovë

Prishtinë, 18 gusht 2023 (MIA) - Instituti Kosovar për Demokraci (KDI) ka reaguar pas arrestimeve të sotme, duke thënë se arrestimet e personave të dyshuar për përfshirje në keqpërdorime me rezervat shtetërore, të menaxhuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, janë tregues i pranisë së korrupsionit të nivelit të lartë.

“Jemi dëshmitarë se në Kosovë, rastet e korrupsionit të profilit të lartë shpeshherë kanë përfunduar pa aktgjykime dënuese, për shkak të mangësive në fazën hetimore – që për pasojë kanë prodhuar aktakuza jokualitative. Prandaj, KDI e sheh si të domosdoshëm zhvillimin e një procesi sa më të detajuar dhe gjithëpërfshirës të hetimeve, në mënyrë që personat potencialisht përgjegjës të ballafaqohen me drejtësinë”, thuhet në komunikatën e KDI-së.

Nga atje theksojnë se arrestimet e sotme të personave të dyshuar për përfshirje në keqpërdorime me rezervat shtetërore, të menaxhuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, janë tregues i pranisë së korrupsionit të nivelit të lartë edhe në sferat më të ndjeshme, që kanë ndikim social të drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Për më tepër, raste të tilla minojnë besimin e publikut në institucione.

Duke ditur ndjeshmërinë e rastit dhe përfshirjen e zyrtarëve të lartë ministror, KDI vlerëson se është i nevojshëm edhe lirimi nga detyra i ministres Rozeta Hajdari, për të mundësuar një proces penal efektiv e të pandikuar politikisht.

Njëherit, KDI kërkon nga të gjithë akterët, e në veçanti zyrtarët në pushtet, që të rezervohen nga çfarëdo deklarimi apo përfshirje që mund t’a ndikojë procesin e hetimit dhe pavarësinë e institucioneve të drejtësisë”.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e tre personave gjatë aksionit të sotëm policor në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si dhe në një biznes privat.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës – Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka realizuar sot bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku kanë arrestuar tre persona me inicialet  R.M. H.G dhe I.L.”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.

Ky institucion bën me dije se tre personat e arrestuar, R.M. H.G dhe I.L. dyshohen për veprat ‘’Keqpërdorim i detyrës zyrtare’’, si dhe ‘’Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.

Sipas Prokurorisë Speciale gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore dhe do të dërgohen në mbajtje për 48 orë, si dhe brenda afateve ligjore kohore do të bëhet kërkesë për caktimin e paraburgimit.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në një konferencë për media  ka deklaruar se nuk dyshojmë në asnjërin nga zyrtaret tanë të ndaluar për 48 orë, pasi ka përpjekje të mëdha që të keqinformohet publiku, motivet dhe arsyet duhet të hetohet gjithashtu.

Hajdari pas aksionit të Policisë së Kosovës dhe arrestimi i dy zyrtarëve të MINT-së tha se ka mirëpritur çdo hetim për rastin e rezervave shtetërore. Megjithatë ajo tha se pret nga organet e ministrisë që të mos cenojnë sigurinë shtetërore, sepse gjatë hetimeve dokumentet që janë marrë si prova nga policia, janë klasifikuar si sekrete shtetërore. mb/

 

QËNDRONI TË LIDHUR