KB-jai dënon sanksionet e SHBA-së kundër raportueses për territoret palestineze
- Kombet e Bashkuara i kanë vlerësuar si "të papranueshme" sanksionet që i ka vendosur administrata amerikane e Donald Trampit kundër raportueses së posaçme të KB-së për territoret palestineze, Françeska Albaneze, për shkak të kritikave të saj ndaj Izraelit.
- Post By Ramize Qamili
- 11:19, 11 korrik, 2025
Nju-Jork, 11 korrik 2025 (MIA) - Kombet e Bashkuara i kanë vlerësuar si "të papranueshme" sanksionet që i ka vendosur administrata amerikane e Donald Trampit kundër raportueses së posaçme të KB-së për territoret palestineze, Françeska Albaneze, për shkak të kritikave të saj ndaj Izraelit.
Zëdhënësi i Sekretarit të përgjithshëm të KB-së, Antonio Guteresh, Stefan Duzharik, deklaroi në Nju-Jork se këto sanksione përfaqësojnë një "precedent të rrezikshëm".
"Vendet-anëtare kanë të drejtë të mos pajtohen me raportet e ekspertëve të pavarur, por mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen brenda KB-së, ndërsa jo përmes sanksioneve të njëanshme", tha Duzharik në konferencën e rregullt për shtyp.
Ai potencoi se avokatja italiane Albaneze është emëruar nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut të KB-së në Gjenevë dhe se Sekretari i përgjithshëm nuk ka autoritet për të ndikuar në punën e saj.
Duzharik theksoi dhe nevojën për të bërë një dallim të qartë midis kritikës legjitime politike ndaj qeverisë izraelite dhe antisemitizmit.
Administrata amerikane më herët ka akuzuar se Albaneze është për paragjykim dhe antisemitizëm, duke thënë se komunikoi me Gjykatën Ndërkombëtare Penale për të inkurajuar hetime ose arrestime të qytetarëve amerikanë dhe izraelitë pa informuar asnjërën palë. Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, deklaroi se ajo ishte "e papërshtatshme" për këtë funksion. rq/
Foro: arkivi i MIA-s