KB: Më shumë se 1,2 milionë afganë tashmë e kanë braktisur Iranin
- Që nga fillimi i vitit dhe nën presionin e autoriteteve iraniane, mbi 1.2 milionë afganë janë larguar nga Irani dhe janë kthyer në vendin e tyre, njoftuan sot Kombet e Bashkuara, raportoi DPA.
- Post By Melahat Baftija
- 16:41, 8 korrik, 2025
Gjenevë, 8 korrik 2025 (MIA) - Që nga fillimi i vitit dhe nën presionin e autoriteteve iraniane, mbi 1.2 milionë afganë janë larguar nga Irani dhe janë kthyer në vendin e tyre, njoftuan sot Kombet e Bashkuara, raportoi DPA.
"Rreth gjysma e tyre janë deportuar me forcë", tha Babar Baloh, zëdhënës i Komisionerit të lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) në Gjenevë.
Eksodi është rritur ndjeshëm javët e fundit. Që nga fillimi i qershorit, më shumë se 600.000 njerëz kanë mbërritur në Afganistan nga Irani, shtoi ai, raporton DPA.
Gjatë luftës së shkurtër midis Izraelit dhe Iranit muajin e kaluar, autoritetet iraniane të sigurisë rritën represionin kundër afganëve. Qindra u arrestuan me akuza për spiunazh ose sabotim, raportuan mediat shtetërore iraniane.
Pas luftës, Irani njoftoi gjithashtu se do të dëbonte të gjithë të huajt pa leje qëndrimi të vlefshme.
Madje edhe para përshkallëzimit ushtarak me Izraelin, në vend pati debate të nxehta rreth numrit të madh të refugjatëve nga Afganistani fqinj, të cilët janë larguar nga atdheu i tyre në numër të madh që kur talebanët rimorën pushtetin gati katër vjet më parë. Shumë prej tyre punonin në sektorë me paga të ulëta në qytetet e mëdha.
UNHCR thekson se Irani është vendi pritës më i rëndësishëm në botë për refugjatët afganë dhe organizata raportoi në prill se ka rreth 3,5 milionë afganë në Iran.
Përfaqësuesi i Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe në Afganistan, Sami Fakuri, njoftoi se shumë nga të mbërriturit nuk kanë idenë se ku të shkojnë për të jetuar. Ata janë gjithashtu të shqetësuar për fëmijët e tyre, veçanërisht për sigurinë dhe arsimimin e vajzave, tha ai.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) njoftoi sot se po bëhen përgatitje për të deportuar edhe një milion njerëz nga Irani në Afganistan, duke paralajmëruar se deportimet masive po e ngarkojnë sistemin e shpërndarjes së ndihmës humanitare. mb/
Foto: MIA