• e premte, 05 dhjetor 2025

"Katimerini": Çdo vit mbyllen rreth 700 shkolla në gjithë Greqinë shkaku i numrit të ulët të nxënësve

Athinë, 1 shtator 2025 (MIA) - Prej vitit 2018 deri më sot, numri i nxënësve në shkollat fillore në Greqi është për mbi 110.000 më i vogël, ndërsa çdo vit mbesin të mbyllura rreth 700 shkolla, sepse nuk ka nxënës, shkruan gazeta greke "Katimerini". 

Siç njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina, gazeta në analizë komentoi se shkollat e mbyllura janë në të gjithë vendin: në vendet malore, në ishuj, por edhe në qendrat e mëdha urbane dhe në rajonin e Atikës, rajonin më të gjerë të Athinës. 

"Përfaqësues me përvojë të Ministrisë së Arsimit, duke folur për 'Katimerini', e përshkruajnë situatën si 'Armagedon për shkak të problemit akut demografik'. Në shtatë vitet e fundit, popullsia e nxënësve në shkollat ​​fillore është ulur për 111.388 fëmijë. Gjithsej, në arsimin fillor dhe të mesëm dhe në shkollat ​​profesionale, në vitin 2025-2026, mësimin do ta ndjekin rreth 1.210.000 nxënës, ndërsa para shtatë viteve, në vitet 2018-2019, mësuan 1.363.912 nxënës", shkruan gazeta.

Në vitin e ri shkollor që në Greqi fillon më 11 shtator, nga 13.478 shkolla fillore dhe të mesme, sipas "Katimerini", 714 do të mbyllen sepse në rajonin ku ndodhen nuk ka nxënës.

Një përfaqësues i Ministrisë së Arsimit sqaroi se që një shkollë të jetë e hapur, është e nevojshme të ketë të paktën 15 nxënës, me përjashtim të qyteteve të vogla malore ose ishujve ku lejohet puna me një numër më të vogël të nxënësve.

Hristos Ciamalos nga Sekretariati për arsimin fillor, të mesëm dhe special pranë Ministrisë së Arsimit të Greqisë komentoi se çdo vit në çdo shkolle fillore "humb" një paralele me nxënës, ndërsa ulja e popullsisë së nxënësve do të fillojë të ndikojë edhe në arsimin e mesëm.

"Problemi demografik është i frikshëm, pasi e përjetojmë vit pas viti. Më kujtohet që në një shkollë fillore në zonën e Ftiotidës, në vitin 2010 kishim dhjetë paralele me 170 nxënës, në vitin 2023 e reduktuam në shtatë paralele me 120 nxënës, ndërsa këtë vit shkolla do të ketë gjashtë klasa me 100 nxënës", theksoi Ciamalos.

Pothuajse gjysma e shkollave që do të mbeten të mbyllura këtë vit shkollor janë në Greqinë veriore, gjegjësisht, sipas "Katimerini", 150 janë në zonën e Maqedonisë qendrore dhe 154 në Maqedoninë lindore dhe Traki, ndërsa në zonën e Atikës, rajonin më të gjerë të Athinës, 77 shkolla nuk do të hapen. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR