Jetesa amerikane: Pagat prej 55.000 dollarë, buka dy dollarë, qumështi një dollar...
- Ekonomia është temë kryesore në SHBA, ashtu siç vendi u afrohet zgjedhjeve të kongresit në vitin 2026. Në fund të fundit, Trampi u zgjodh pikërisht për shkak të premtimeve për të ulur çmimet dhe për të sjellë rilindje për familjet punëtore amerikane nga provinca, e cila votoi për të në mënyrë bindëse.
- Post By Melahat Baftija
- 13:04, 18 maj, 2025
Uashington, 18 maj 2025 (MIA) - Ekonomia është temë kryesore në SHBA, ashtu siç vendi u afrohet zgjedhjeve të kongresit në vitin 2026. Në fund të fundit, Trampi u zgjodh pikërisht për shkak të premtimeve për të ulur çmimet dhe për të sjellë rilindje për familjet punëtore amerikane nga provinca, e cila votoi për të në mënyrë bindëse.
Megjithëse disa tregues makroekonomikë tregojnë për inflacionin e kontrolluar dhe paga të rritura në qendrat urbane, realiteti për miliona amerikanë është dukshëm më i vështirë. Pagat në stagnim në rajonet industriale dhe rurale, ushqimi më i shtrenjtë dhe rritja e shpenzimeve të jetesës detyrojnë shumë njerëz të heqin dorë nga komoditetet standarde të jetesës, të tilla si blerja e makine të re ose planifikimi i pushimit në Evropë ose vende të tjera të huaja ekzotike. Familjet e reja që duan të bëhen pronarë shtëpish, përsëri, si në periudhën post-pandemike, po shtyjnë planet për të blerë dhe vazhdojnë me qira.
Prioritetet politike dhe ekonomike të administratës Tramp kanë përkeqësuar situatën me reformat për kursim të Qeverisë dhe ristrukturimin e politikave tregtare dhe energjetike të vendit.
Mosbalancimi i pagave, tarifave dhe inflacionit
Ekziston një mosbalancim rajonal i pagave amerikane. Kështu, për shembull, paga mesatare javore bruto në Qarkun e Kolumbisë në tremujorin e parë të këtij viti arriti në 2.000 dollarë, rritje prej 7.5% krahasuar me vitin e kaluar, sipas Byrosë Amerikane të Statistikës. Megjithatë, në të ashtuquajturin "brez i ndryshkur" (Rust Belt), një rajon që dikur ishte motori i industrisë amerikane, pagat mbeten dukshëm më të ulëta. Në rajonet jo shumë larg vendbanimit të korrespondentit të MIA-s, si Pensilvania dhe Virxhinia Perëndimore, paga mesatare vjetore sillet rreth 55.000 dollarë bruto (ose 4.600 dollarë në muaj), e cila është nën mesataren kombëtare. Në të njëjtën kohë, kostoja e nevojave themelore të jetesës po rritet më shpejt se pagat. Në Virxhinia, për shembull, kostot mujore të ushqimit janë 366 dollarë për person, por 78 për qind e banorëve lajmërojnë se e kanë gjithnjë e më të vështirë t'i mbulojnë ato.

Inflacioni vjetor në mars të vitit 2025 arrinte 2,4 për qind, por çmimet e ushqimit janë rritur për 3 për qind.
Çmimet mesatare të produkteve themelore ushqimeve në SHBA janë të larta.
Çmimet e qumështit, vezëve, bukës dhe mishit të bluar të viçit në maj të vitit 2025 regjistruan dallime të qëndrueshme, por të rëndësishme për shkak të epidemive dhe çrregullimeve të tregut.
Vezët kushtojnë 6 dollarë për një duzinë. Rritja e çmimeve shkaktohet kryesisht nga përhapja e gripit të shpendëve, i cili prek rëndë fermat e shpendëve në të gjithë vendin.
Mishi i lopës arriti në 5.5 dollarë për paund (rreth 0.4 kg). Çmimi është nën presion nga sëmundjet e blegtorisë dhe problemet e zinxhirit të furnizimit, gjë që çon në rritjen e kostove në nivel kombëtar.
Qumështi shitet për 4 dollarë për gallon (rreth 4 litra). Pavarësisht sfidave në industrinë e qumështit, çmimi mbetet relativisht i qëndrueshëm falë rregullimit federal", bën të ditur "Investigate Midwest".
Çmimi i bukës është rreth 2 dollarë për bukë.
Përveç çmimeve të qumështit, ushqimet e tjera janë rritur mesatarisht në përputhje me inflacionin e përgjithshëm. Çmimi i tyre ndryshon sipas rajonit, kështu që për shembull, çmimi mesatar i vezëve në Kaliforni është pothuajse 9 dollarë, ndërsa në shkallë vendi është pothuajse 5 dollarë. Çmimet e larta në Kaliforni janë kryesisht rezultat i rregulloreve shtetërore që kërkojnë shitjen e vezëve nga pulat me ushqim të lirë, pa kafaz, si dhe ndikimin e gripit të shpendëve.
Politika monetare dhe potenciali teknologjik
Rezervat federale i mbajtën normat e interesit të qëndrueshme prej 5.25 për qind, por sinjalizoi ulje të mundshme deri në fund të vitit nëse aktiviteti ekonomik ngadalësohet. Hapi i këtillë synon të parandalojë recesionin, e njëherësh të mbështesë sektorin teknologjik, i cili po vuan paqëndrueshmëri për shkak të politikave të paqarta tregtare dhe energjetike .
Ekonomisti Nuriel Rubini konsideron se përkundër këtyre sfidave, investimet në inteligjencën artificiale dhe automatizimin do t'i japin nxitje të re produktivitetit.
"Teknologjia do të neutralizojë dëmet afatshkurtra nga barrierat tregtare", deklaroi ai, transmetoi Bllumbergu.
Megjithatë, sektori i energjive të ripëtërishme dhe automobilave elektrikë, gjë që deri vonë ishte simbol i inovacionit dhe qëndrueshmërisë, tani gjendet në pasiguri politike dhe të tregut.