Janë gjetur 204 trupa nga rrëzimi i aeroplanit të Er India
- Autoritetet indiane njoftuan se janë gjetur 204 trupa nga rrëzimi i një aeroplani të udhëtarëve të Er India që ndodhi menjëherë pas ngritjes nga aeroporti i Ahmedabadit drejt Londrës.

Nju Delhi, 12 qershor 2025 (MIA) - Autoritetet indiane njoftuan se janë gjetur 204 trupa nga rrëzimi i një aeroplani të udhëtarëve të Er India që ndodhi menjëherë pas ngritjes nga aeroporti i Ahmedabadit drejt Londrës.
Zëdhënësi i policisë për agjencinë e lajmeve DPA deklaroi se aeroplani, i cili po fluturonte nga qyteti perëndimor indian i Ahmedabadit për në aeroportin Getuik, u rrëzua sot dhe besohet se pothuajse të gjithë udhëtarët kanë vdekur.
I vetmi i mbijetuar i konfirmuar është britaniku 40-vjeçar Vishvash Kumar Ramesh, i cili në një deklaratë për gazetën "Hindustan Tajms" përshkroi se rrëzimi ka ndodhur vetëm 30 sekonda pas fluturimit, i shoqëruar nga një zhurmë e fuqishme para fatkeqësisë.
Aeroplani, model Boing 787 Drimlajner, ka fluturuar nga aeroporti i Ahmedabadit me gjithsej 242 udhëtarë, mes të cilëve 169 shtetas indianë, 53 britanikë, një kanadez dhe shtatë shtetas portugezë. Sipas informacioneve, aeroplani është rrëzuar mbi ndërtesën e Fakultetit Mjekësor BJ, me ç'rast disa pjesë të aeroplanit, duke përfshirë pajisjet e aterimit, trupin e aeroplanit dhe bishtin, kanë mbetur të bllokuar në ndërtesë.
Një top zjarri dhe re të mëdha tymi të zi ishin të dukshme pas rrëzimit, ndërsa videot që qarkullojnë në internet tregojnë aeroplanin duke fluturuar mbi një zonë banimi përpara se të zhdukej pas pemëve, e më pas të shpërthente.
Tata Grup, kompania amë e Er India, shprehu ngushëllime të thella dhe njoftoi mbështetje financiare prej 10 milionë rupish (rreth 117,000 dollarë) për familjet e të ndjerëve, si dhe mbulimin e shpenzimeve mjekësore të të lënduarve. Kompania premton gjithashtu mbështetje për rindërtimin e Fakultetit të Mjekësisë të dëmtuar në aksident.
Drejtori ekzekutiv i Er India, Kempbell Uilson, deklaroi: "Kjo është një ditë e vështirë për të gjithë ne në Er India dhe përpjekjet tona tani janë përqendruar plotësisht në nevojat e udhëtarëve tanë, anëtarëve të ekuipazhit, familjeve të tyre dhe të afërmit".
Autoritetet britanike, së bashku me Indinë, kanë nisur një hetim, ndërsa Dega e Hetimit të Aksidenteve Ajrore (AAIB) e Mbretërisë së Bashkuar ka dërguar ekipe në Indi për mbështetje. Mbreti Çarls tha se ishte "thellësisht i tronditur" nga incidenti, ndërsa Pallati i Bakingamit tha se ai informohet rregullisht për zhvillimin e situatës.
Kryeministri Kir Starmer deklaroi se lajmi për rrëzimin ishte "shkatërrues", ndërsa homologu i tij indian Narendra Modi tha se ishte "pa fjalë, me zemër të thyer".
Zëdhënësi i Dauning Strit konfirmoi se publiku duhet të përgatitet për humbje të konsiderueshme të jetës britanike, duke shtuar: "Kjo është një kohë thellësisht shqetësuese për familjet dhe situata është ende në zhvillim e sipër."
"Ministria e Punëve të Jashtme, Zhvillimit të Përbashkët dhe Komuniteteve (FCDO) ka ngritur një ekip krize në Indi dhe në Britaninë e Madhe", deklaori ministri i Punëve të Jashtme, Dejvid Lami.
Ndërkohë, Aeroporti Getuik paralajmëroi hapjen e një qendre pritjeje për të afërmit e udhëtarëve.
Sipas bazës së të dhënave të Rrjetit të Sigurisë së Aviacionit, ky është incidenti i parë që përfshin një Boiing 787. Të dhënat nga Flightradar24 tregojnë se aeroplani pas fluturimit ka arritur një lartësi maksimale prej 625 hapash (rreth 190 metra), përpara se të fillonte të binte me një shpejtësi prej 475 hapash në minutë.
Er India u mor në kontroll nga Tata Grup nga qeveria indiane në janar të vitit 2022, pasi akumuloi miliarda stërlina humbje. Linja ajrore operon nga Birmingami, Getuik dhe Hithrou në Mbretërinë e Bashkuar, me linja për në qytete indiane si Ahmedabad, Delhi, Mumbai dhe Bengaluru.
Fluturimet për në Getuik filluan në mars të vitit 2023, me 12 fluturime në javë dhe pesë për në Ahmedabad.
Një analizë e kohëve të fundit nga agjencia e lajmeve PA tregoi se ajo ishte linja ajrore më e keqe për vonesat e fluturimeve nga aeroportet britanike vitin e kaluar, me ç'rast aeroplanët kanë fluturuar mesatarisht më shumë se 45 minuta më vonë nga sa ishte planifikuar.
Kompania ajrore ka fituar një reputacion të keq për vonesat dhe anulimet në vitet e fundit, pjesërisht të shkaktuara nga mungesa e fondeve për të blerë pjesë rezerva për aeroplanët, gjë që ka çuar në ndalimin e fluturimeve të një pjese të flotës së saj. mb/
Foto: EPA