• e diel, 22 dhjetor 2024

Hetim i OKB-së: Rusia sistematikisht ka përdorur metoda të torturimit në Ukrainë

Hetim i OKB-së: Rusia sistematikisht ka përdorur metoda të torturimit në Ukrainë

Gjenevë, 25 shtator 2023 (MIA) - Metodat ruse të torturës në pjesët e okupuara të Ukrainës ishin aq brutale sa çuan në vdekjen e disa viktimave, deklaroi sot Erik Moze, kreu i Komisionit hetimor të OKB-së.

Moze, kryetar i Komisionit hetimor për Ukrainën, deklaroi oara Këshillit të OKB-së për të drejtat e njeriut në Gjenevë se ekipi i tij kishte "mbledhur prova shtesë që tregojnë se tortura nga forcat e armatosura ruse në zonat nën kontrollin e tyre ishte e përhapur dhe sistematike".

"Në disa raste tortura ishte aq brutale saqë shkaktoi vdekjen e viktimës", tha ai.

Komisioni i udhëhequr nga Moze vizitoi pjesë të Ukrainës të pushtuara më parë nga forcat ruse, si rajonet Herson dhe Zaporozhje. U vërtetua se torturat kryheshin kryesisht në qendrat e paraburgimit nën kontrollin e autoriteteve ruse.

Komisioni ka thënë më parë se veprimet e forcave ruse në Ukrainë, duke përfshirë torturën, mund të përbëjnë krime kundër njerëzimit.

Rusia mohon kryerjen e krimeve apo shënjestrimin e civilëve në Ukrainë. Moskës iu dha mundësia për t'iu përgjigjur akuzave në një seancë dëgjimore të Komisionit, por asnjë përfaqësues rus nuk u paraqit. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR