• e premte, 20 mars 2026

Hegseth paralajmëroi valë të re sulmesh amerikane mbi Iranin

Hegseth paralajmëroi valë të re sulmesh amerikane mbi Iranin

Uashington, 19 mars 2026 (MIA) - Ministri i Mbrojtjes së SHBA-së, Pit Hegseth, mbajti konferencë për shtyp mbi luftën në Iran, duke thënë se SHBA-ja do të vazhdojë me sulme intensive dhe nuk do të ndalen derisa të përfundojë operacioni.

Ai e filloi fjalimin e tij duke thënë se kishte folur me familjet e gjashtë ushtarëve amerikanë që u vranë javën e kaluar kur një aeroplan ushtarak për furnizim me karburant u rrëzua mbi Irak. Ai theksoi se familjet kishin kërkuar që operacioni të vazhdonte.

"Ata thanë: Kryeni këtë, respektoni sakrificën e tyre, mos u dorëzoni dhe mos u ndalni derisa të përfundojë puna", tha Hegseth. Ai shtoi se si ai ashtu edhe presidenti i SHBA-së iu përgjigjën thjesht: "Sigurisht që do ta bëjmë këtë. Do ta respektojmë sakrificën e tyre".

Hegseth tha gjithashtu se kur priti trupat e ushtarëve të rënë në bazën ajrore Dover, së bashku me presidentin amerikan Donald Tramp dhe gjeneralin e Forcave ajrore, Den Kejn, ai pa "vendosmëri të palëkundur" midis familjeve.

Duke folur për rrjedhën e luftës, ai paralajmëroi sulme të reja. "Sot do të jetë paketa më e madhe e sulmeve ndonjëherë, njësoj si dje", tha ai.

Ai theksoi se operacionet ushtarake amerikane po zhvillohen sipas planit dhe se mbrojtja ajrore e Iranit ishte "niveluar" dhe industria e saj e mbrojtjes ishte "shkatërruar kryesisht". Ai shtoi se SHBA-ja kishin fundosur më shumë se 120 anije luftarake iraniane dhe kishin shkatërruar të 11 nëndetëset iraniane.

Sipas tij, sulmet SHBA-Izrael kishin goditur më shumë se 7.000 objektiva në Iran dhe infrastrukturën e tij ushtarake.

"Ne kemi goditur më shumë se 7.000 objektiva në të gjithë Iranin dhe infrastrukturën e tij ushtarake deri më tani. Ky nuk është një operacion gradual. Kjo është një forcë masive e aplikuar me precizitet", tha ai.

Ai shtoi se kapaciteti i prodhimit të raketave balistike të Iranit kishte qenë "ndoshta më i godituri" dhe kishte rënë për 90 për qind që nga fillimi i konfliktit. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR