• e premte, 05 dhjetor 2025

Hamasi kthen edhe dy trupa të pajetë të pengjeve, theksohet se për të tjerët do t'u duhet kohë

Hamasi kthen edhe dy trupa të pajetë të pengjeve, theksohet se për të tjerët do t'u duhet kohë

Gazë/Tel Aviv, 16 tetor 2025 (MIA) - Hamasi mbrëmë ia dorëzoi eshtrat e edhe dy pengjëve të tjerë te Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, por kumtoi se për momentin nuk ishte në gjendje të kthente trupat tjerë, njoftoi DPA. 

Ushtria izraelite (IDF) kumtoi se dy arkivole i janë transferuar personelit të KNKQ-së dhe së shpejti do t'u dorëzohen forcave izraelite. 

Sipas marrëveshjes për armëpushim midis Izraelit dhe grupit islamik, Hamasi është i detyruar të dorëzojë gjithsej 28 trupa, 19 prej të cilëve mbeten në Rripin e Gazës. 

Grupi liroi 20 pengjet e fundit të gjallë të hënën, përkujton agjencia gjermane. 

Megjithatë, dorëzimi i trupave të mbetur tani duket se po përballet me vështirësi, duke rritur frikën për stabilitetin e armëpushimit të brishtë. 

Ushtria izraelite dje kumtoi se ekspertët për mjekësi ligjore kanë zbuluar se "një nga 10 trupat që Hamasi ka liruar deri tani nuk përputhej me asnjë nga pengjet e zhdukura". 

Në kumtesën e dhënë në të njëjtën kohë me dorëzimin e fundit të mërkurën, Hamasi kumtoi se ka dorëzuar të gjitha trupat e pengjeve, tek të cilët momentalisht ka qasje dhe për këtë arsye ka përmbushur detyrimet e tij sipas marrëveshjes së armëpushimit, njofton DPA. 

"Për trupat e mbetur të të burgosurve nevojiten përpjekje të konsiderueshme dhe pajisje speciale për t'i kërkuar dhe për t'i marrë ato, ndërsa ne po bëjmë përpjekje të mëdha për ta mbyllur këtë dosje", theksohet në kumtesën e Hamasit. 

Besohet se shumë prej eshtrave të pengjeve janë varrosur nën rrënojat e ndërtesave të bombarduara ose në boshtet e tuneleve, pas dy vitesh konflikt në Rripin e Gazës. rq/bsh/

Foto: Skrinshot nga Al Xhezira

QËNDRONI TË LIDHUR