Guteresh: KB-ja e gatshme për të vepruar në Gazë
- Sekretari i Përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh, përshëndeti marrëveshjen e arritur midis Izraelit dhe grupit radikal palestinez Hamas për një armëpushim në Rripin e Gazës dhe lirimin e pengjeve izraelite.
- Post By Ramize Qamili
- 17:55, 9 tetor, 2025
Nju-Jork, 9 tetor 2025 (MIA) - Sekretari i Përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh, përshëndeti marrëveshjen e arritur midis Izraelit dhe grupit radikal palestinez Hamas për një armëpushim në Rripin e Gazës dhe lirimin e pengjeve izraelite.
Guteresh tha se organizata është e gatshme të ofrojë ndihmë.
"Kombet e Bashkuara janë të gatshme të japin mbështetjen e tyre të plotë. Ne dhe partnerët tanë jemi të gatshëm të veprojmë - menjëherë", tha Guteresh në KB.
Ai bëri thirrje për qasje të plotë dhe të qëndrueshme për punonjësit humanitarë në Rripin e Gazës.
Ndërkohë, Egjipti po punon fuqishëm për të lejuar buldozherët dhe pajisjet e ndërtimit të hyjnë në Rripin e Gazës për të pastruar rrugët e dëmtuara, me qëllim lehtësimin e shpërndarjes së ndihmës humanitare.
Sipas "Al Kajro njuz", Kajro po ushtron ndikim dhe presion diplomatik në terren për të marrë miratimin për hyrjen e makinerive të rënda përmes vend kalimit Rafah me Gazën. Veprimet janë pjesë e hapave të koordinuar me Kombet e Bashkuara dhe organizatat ndërkombëtare humanitare.
Lufta në enklavë filloi më 7 tetor të vitit 2023, me një sulm të paparë ndërkufitar nga Hamasi në territorin izraelit, në të cilin, sipas numrave izraelitë, u vranë 1.219 persona u vranë, ndërsa 251 u morën pengje në territorin bregdetar.
Sipas informacionit nga autoritetet shëndetësore palestineze, më shumë se 67.000 palestinezë kanë vdekur që nga fillimi i ofensivës izraelite në enklavën bregdetare. Këto shifra konsiderohen të besueshme nga Kombet e Bashkuara dhe një numër organizatash ndërkombëtare. rq/
Foto: EPA