• e hënë, 23 dhjetor 2024

Grubi për KosovaPres: Kosova dhe Serbia duhet të marrin shembull Maqedoninë e Veriut për zgjidhjen e kontesteve

Grubi për KosovaPres: Kosova dhe Serbia duhet të marrin shembull Maqedoninë e Veriut për zgjidhjen e kontesteve
Prishtinë, 30 tetor 2022 (MIA) - Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, konsideron se Kosova duhet të marrë shembull shtetin tonë në zgjidhjen e çështjeve të hapura me Serbinë dhe hapjen e rrugës për të ardhmen e saj evropiane, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Në intervistën e sotme për agjencinë KosovaPres, Grubi deklaroi se duhet të merret shembull mënyra se si Maqedonia e Veriut i zgjidhi çështjet e hapura me Greqinë dhe Bullgarinë, me çfarë e hapi rrugën drejt Bashkimit Evropian. Sipas zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut, i vetmi rezultat i pranueshëm i negociatave ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. “Elita politike në Kosovë dhe elita politike në Serbi duhet të marrin shembullin e Maqedonisë së Veriut si dhe Greqisë dhe Bullgarisë në mbylljen e kontesteve dypalëshe bilaterale në mënyrë që të hapet rrugë për të ardhmen. Nuk ka zgjidhje tjetër për çështje të hapur në Evropën Juglindore midis Prishtinës dhe Beogradit pa njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga ana e Republikës së Serbisë. Ky është rezultati përfundimtar të cilin ne e mbështesim dhe është i vetmi të cilin e pranojmë”, deklaroi Grubi për KosovaPres. I pyetur për gjendjen aktuale në Maqedoninë e Veriut, Grubi thotë se ndikimi i Rusisë në shtet është i dukshëm, që, sipas tij, mund të shihet nga fakti se ka parti maqedonase, edhe atë në Kuvendin e Republikës, të cilat haptazi e mbështesin agresionin rus në Ukrainë. "Ne jemi i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që zyrtarisht ka një parti politike që është degë e partisë së (presidentit Vladimir, Putin) në Rusi dhe që vepron në Maqedoninë e Veriut, ndërsa kemi gjithashtu një parti tjetër parlamentare, me dy deputetë, që haptazi e mbështet agresionin rus në Ukrainë dhe është vënë në funksion të agjenturave ruse në Kuvendin e RMV-së, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nuk e njeh Marrëveshjen e Ohrit dhe në programin e saj e ka tërheqjen e njohjes së Kosovës dhe anulimin e Marrëveshjes së Ohrit... dhe që fatkeqësisht ishte edhe në koalicion me partitë opozitare shqiptare dhe VMRO-DPMNE-në me qëllim të rrëzimit të qeverisë pro-evropiane në shtet", thotë Grubi. Duke pasur parasysh këtë, shtoi ai, "ndikimi rus në Maqedoninë e Veriut është evident dhe nuk është larg mendjes edhe ndikimi i tyre në të gjitha këto skenarë destabilizues ndaj shumicës parlamentare”. Edhe krahas kësaj,  theksoi Grubi, koalicioni qeveritar është i qëndrueshëm, por nevojitet, thotë ai, bashkëpunim me partitë pro-evropiane në Kuvend, në mënyrë që të sigurohet zbatimi i marrëveshjes me Republikën e Bullgarisë, duke pasur parasysh se për këtë nevojiten 80 vota, derisa shumica disponon me 64. “Kemi hapur një thirrje për të gjithë forcat pro-evropiane të cilat janë pjesëmarrëse ne Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut që të na bashkëngjiten në përpjekjen për ta ndryshuar kushtetutën në mënyrë që ta zbatojmë marrëveshjen bilaterale të cilën e kemi me Bullgarinë, duke ndryshuar preambulën dhe përfshirjen e komunitetit bullgar, malazez dhe korat në Kushtetutë, për të cilën na duhen gjithsej 80 deputetë”, deklaroi Grubi. Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut në intervistën për agjencinë e lajmeve angazhohet për koordinim më të madh midis Prishtinës, Tiranës dhe Shkupit veçanërisht për çështje të politikës së jashtme, për, siç thotë në mbrojtje të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). “Prishtina, Tirana dhe Shkupi duhet të koordinohen shumë më tepër në politikën e jashtme, në veçanti në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare të UÇK-së por edhe të përpjekjeve të gjithë shqiptarëve në Evropën Juglindore, për liri, drejtësi, barazi, dhe pavarësi në Kosovë si dhe njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë... Asnjë e keqe Kosovës nuk mund t’i vije nga Shkupi apo Tirana, përkundrazi, do të ketë mbështetjen absolute në çfarëdo qoftë nisme, rajonale, kontinentale apo globale”, deklaroi Grubi për KosovaPres. ar/      

QËNDRONI TË LIDHUR