• e enjte, 04 dhjetor 2025

Greqia do ta rindërtojë vendkalimin kufitar Evzoni

Greqia do ta rindërtojë vendkalimin kufitar Evzoni

Athinë, 21 gusht 2025 (MIA) - Rindërtimi arkitektonik dhe energjetik i objekteve dhe infrastrukturës ekzistuese, rindërtimi i komunikacionit të rrjetit rrugor përmes rishpërndarjes së aktiviteteve, si dhe sigurimi i kushteve të nevojshme për përmirësimin e ndjeshëm të shërbimeve të kontrollit të pasaportave, doganave, fitosanitar dhe veterinar, parashikon projekti "Rindërtimi i pikës kufitare Evzoni - Kilkis" i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Greqisë, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Në përputhje me vendimin e ministrit kompetent Teodoros Livanios, të publikuar dje, projekti për rindërtimin e vendkalimit kufitar drejt vendit tonë nga ana greke,i përfshirë në "Programin për projektet e investimeve publike të Ministrisë së Punëve të Brendshme për periudhën 2021 - 2025", është me vlerë prej 24,6 milionë euro, ndërsa ka për qëllim të "lehtësojë lëvizjen dhe tregtinë ndërkufitare, të rrisë efikasitetin e kontrolleve kufitare, të zvogëlojë kohën e pritjes për udhëtarët dhe automjetet, të rrisë bashkëpunimin e vendit me Maqedoninë e Veriut dhe kësisoj të kontribuojë në përforcimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë".

Në mënyrë shtesë, me rindërtimin, Greqia do të jetë në përputhje edhe me rregulloret përkatëse të BE-së që rregullojnë shkëmbimin ndërkufitar të njerëzve dhe mallrave, siç janë: Rregullorja për sistemin e Shengenit, Sistemi për hyrje-dalje (EES); Sistemi ETIAS me Agjencinë evropiane dhe rojës kufitare dhe bregdetare FRONTEKS (BE 2019/1896), Kodi doganor i BE-së) dhe Rregulloret fitosanitare dhe veterinare.

Siç theksohet në vendimin e ministrit grek, data e fillimit të projektit është 12 gushti i këtij viti, ndërsa "data e përfundimit të projektit është caktuar më 31 dhjetor të vitit 2027", ndërsa vlera totale e projektit është 24.625.695.05 euro.

Sipas sekretarit të përgjithshëm të Administratës së decentralizuar të rajonit Maqedoni-Traki, Dimitris Galamatis, ndërhyrjet në vendkalimin kufitar Evzoni "janë me rëndësi thelbësore" ndërsa projekti do të kontribuojë ndjeshëm në normalizimin e lëvizjes së qytetarëve, si dhe në zbatimin më të shpejtë të procedurave gjatë kalimit të kufirit. rq/

Foto: MIA/ANA-MPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR