• e martë, 24 dhjetor 2024

Gjykata Supreme Ruse e shpalli Batalionin Azov si grup terrorist

Gjykata Supreme Ruse e shpalli Batalionin Azov si grup terrorist
Moskë, 2 gusht 2022 (MKIA) - Gjykata Supreme Ruse e ka shpallur sot organizatë terroriste regjimentin Azov të Ukrainës dhe ka vendosur që ky regjiment të ndalohet në Rusi. Ky vendim mund të ekspozojë ndaj akuzave për terrorizëm të burgosurit ukrainas të luftës që mbahen nga Moska. Regjimenti Azov, që ka luajtur një rol kyç në mbrojtjen e qytetit ukrainas të Mariupolit, vazhdimisht është portretizuar nga zyrtarët rusë dhe mediat shtetërore ruse si formacion nazist, duke e akuzuar për kryerjen e mizorive ndaj civilëve ukrainas. Deri më tani nuk është prezantuar asnjë dëshmi për të mbështetur këto pretendime. Regjimenti Azov është një njësi brenda Gardës Kombëtare të Ukrainës. Regjimenti doli nga një grup i krijuar më 2014, i quajtur Batalioni Azov që ishte një prej shumë brigadave të vullnetarëve që u formuan për të luftuar kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës. Fillimisht batalionit Azov iu bashkuan luftëtarë nga qarqet e ekstremit të djathtë dhe u kritikuan për taktikat që përdornin. Anëtarët aktualë hedhin poshtë akuzat për nacionalizëm dhe radikalizëm. Zyra e Prokurorit të përgjithshëm të Rusisë në muajin maj kishte kërkuar që ky regjimet të shpallej organizatë terroriste. Dhjetëra luftëtarë të Azovit janë të burgosur nga Moska. Autoritetet ruse kanë iniciuar dhjetëra raste penale ndaj tyre, duke i akuzuar për vrasjen e civilëve. Javën e kaluar, dhjetëra të burgosur të luftës të Ukrainës u vranë pasi qendra e ndalimit ku po mbaheshin u godit nga sulmet ajrore. Qendra e ndalimit që u sulmua gjendet në Olenivka, në territorin e kontrolluar nga separatistët pro-rusë në Ukrainë. Moska dhe Kievi kanë shkëmbyer akuza për sulmin, teksa Kievi ka thënë se Rusia sulmoi këtë qendër për të fshehur provat e torturimit të të burgosurve të luftës. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR