Gjermania vendos javën eksperimentale me katër ditë pune, pagat mbeten të njëjta
- Nga 1 shkurti, kompanitë gjermane do të vendosin një javë eksperimentale me katër ditë pune dhe do të masin produktivitetin e punëtorëve.
- Post By Melahat Baftija
- 12:26, 28 janar, 2024
28 Janar 2024
Indeks - Zagreb
Nga 1 shkurti, kompanitë gjermane do të vendosin një javë eksperimentale me katër ditë pune dhe do të masin produktivitetin e punëtorëve.
Eksperimenti në të cilin do të marrin pjesë 45 kompani do të zgjasë gjashtë muaj, ndërsa të punësuarit do të mbajnë pagat e tyre aktuale përkundër numrit të reduktuar të orëve, shkruan Bllumbergu. Qëllimi i këtij eksperimenti është të kontrollojë nëse pretendimet e sindikatave se njerëzit që punojnë më pak janë jo vetëm më të lumtur dhe më të shëndetshëm, por edhe më efikas në vendet e tyre të punës.
"Unë jam absolutisht i bindur se investimi në një punë të re shpërblehet sepse rrit mirëqenien dhe motivimin, e me këtë edhe efikasitetin", tha Soren Frike, bashkëthemelues i ndërmarrjes për planifikimin e ngjarjeve Solidsense, një nga 45 ndërmarrjet që do të jenë pjesë e studimit.
"Një javë katër-ditore, nëse funksionon, nuk do të na kushtojë asgjë në planin afatgjatë," shton ai.
Kriza e punës në Gjermani
Projekti thekson një ndryshim më të gjerë që po ndodh në tregun gjerman të punës, ku mungesa e punëtorëve të kualifikuar po ushtron presion mbi firmat për të mbushur radhët e tyre. Mungesa, e shoqëruar me inflacionin e lartë, inkurajoi punëtorët në të gjitha industritë të kërkojnë paga më të larta dhe të ruajnë fleksibilitetin dhe pavarësinë që përvetësuan gjatë pandemisë.
Mosbalancimi nxit tensionet midis punëdhënësve dhe punëtorëve. Makinistët gjermanë janë aktualisht në grevë për një javë dhe po kërkojnë që Dojçe Ban të ulë orët e punës javore nga 38 në 35 orë pa ulje page.
Një rritje prej 20 për qind kërkohet nga sindikata e të punësuarve të sektorit të ndërtimtarisë për një pjesë të madhe të punëtorëve të saj që arrijnë rreth 930.000. Disa ekonomistë paralajmërojnë se ky hap mund të nxisë inflacionin.
Sipas sondazhit të vitit të kaluar të grupeve të lobimit të industrisë, gjysma e kompanive gjermane janë të paktën pjesërisht të paafta për të plotësuar vendet e lira të punës. Gjigandi i softuerit SAP SE ndaloi së kërkuari diploma universitare nga kandidatët për punë në vitin 2022, ndërsa gjigandi i pasurive të patundshme Vonovia SE vitin e kaluar punësoi njerëz nga Kolumbia për të trajtuar mungesat e fuqisë punëtore.
Bllumbergu shkruan se problemi vetëm mund të përkeqësohet. Deri në vitin 2034, më shumë se shtatë milionë njerëz do të largohen nga tregu gjerman i punës për shkak të kombinimit të një niveli të ulët të lindjeve dhe plakjes së popullsisë.
"Unë mund të ndërhyj dhe të pozicionohem si punëdhënës modern ose thjesht të them se të gjithë duhet të punojmë më shumë dhe të arrijmë në një situatë ku nuk kam më askënd të punojë për mua", sqaron Hening Roper, drejtor ekzekutiv i Eurolam, prodhues dritaresh.
Në vitin 2022, gjermanët mungonin mesatarisht nga 21.3 ditë nga puna
Entuziazmi i ulët i punëtorëve i kushton ekonomisë globale 8.1 miliardë euro në vit, ose nëntë për qind të PBB-së botërore, sipas një sondazhi të Gallup.
Eksperimenti drejtohet nga organizata jofitimprurëse e Zelandës së Re 4 Day Week Global dhe thotë se punëtorët që do të punojnë më pak për të njëjtën pagë gjatë studimit duhet të mbeten të paktën po aq efikas, po madje edhe më efikas.
Përveç rritjes së produktivitetit, firmat pritet të përfitojnë nga zvogëlimi i mungesave të kushtueshme nga puna për shkak të stresit, sëmundjes dhe rraskapitjes. Në vitin 2022, gjermanët humbën mesatarisht 21.3 ditë pune, duke rezultuar në një humbje prej 207 miliardë eurosh, sipas të dhënave nga Instituti Federal për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë.
Mbështetësit e këtij eksperimenti theksojnë se risia mund të tërheqë staf të ri në Gjermani, një vend që sipas Eurostat tashmë ka pjesën më të madhe të të punësuarve me honorar në BE.
Megjithëse, Gjermania ka deri tani prodhimin më të madh ekonomik në Evropë, mungesa e investimeve në inovacion dhe digjitalizim ka parandaluar rritjen e produktivitetit. Pa përmirësime në këto fusha, nuk ka gjasa që punëtorët gjermanë të përjetojnë një rritje të konsiderueshme të produktivitetit vetëm duke ulur thjesht orët e punës, sipas Enco Veber, një ekonomist në Institutin për hulumtimin e për e tregut të punës në Nirnmbergut.
Ekonomisti i Bllumbergut, Martin Ademer është dakord me të, duke thënë se efikasiteti për orë do të rritet, por kjo rritje nuk do të kompensojë shkurtimin e orëve.
Ministri i Financave është kundër, thotë se është në kundërshtim me rritjen ekonomike dhe përparimin e shtetit
Kristian Lindner, ministri gjerman i financave dhe anëtar i Partisë së Demokratëve të Lirë, kritikoi vendimin e kompanive gjermane, duke thënë se një javë më e shkurtër pune do të rrezikonte rritjen ekonomike dhe përparimin e Gjermanisë.
Por, ithtarët e idesë thonë se studimet e mëparshme në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada kanë treguar se është e mundshme rritja e efikasitetit. Punëtorët kanë paraqitur përmirësim të përgjithshëm në shëndetin e tyre dhe asnjë kompani nuk u kthye në një javë prej pesë ditë pune.
Britania kishte një eksperiment të ngjashëm në të cilin morën pjesë 61 kompani, kishin performancë të mirë të punës dhe pushimi mjekësor u ul për 65 për qind. Edhe Portugalia, ku rreth 20 për qind e punëtorëve thanë se ndiheshin më mirë dhe flinin më mirë.
Bllumbergu shton se Belgjika është bërë vendi i parë evropian që ofron opsionin e një jave me katër ditë pune, por me një orar përkatës të orëve në javë. Japonia inkurajoi firmat e saj që t'u ofrojnë punëtorëve një javë më të shkurtër pune me shpresën për të shpenzuar më shumë dhe për të rritur numrin e fëmijëve të lindur.
"Kjo nuk funksionon gjithmonë dhe nuk është për secilin. Duhet shumë kreativitet dhe fleksibilitet nga ana e kompanive. Ata duhet të kuptojnë vetë se çfarë funksionon apo nuk funksionon për ta”, konstaton Jan Buhren, nga ndërmarrja konsulente që bashkëpunon me eksperimentin në Gjermani.
Foto: arkivi