Gjenerali Grinkeviç e mori detyrën e komandantit suprem të forcave të NATO-s në Evropë
- Gjenerali amerikan i forcave ajrore, Aleksus Grinkeviç sot zyrtarisht mori detyrën e komandantit suprem të forcave aleate të NATO-s në Evropë nga paraardhësi dhe bashkatdhetari i tij, gjenerali i armatës, Kris Kavolli.
- Post By Ramize Qamili
- 16:01, 4 korrik, 2025
Bruksel, 4 korrik 2025 (MIA) - Gjenerali amerikan i forcave ajrore, Aleksus Grinkeviç sot zyrtarisht mori detyrën e komandantit suprem të forcave aleate të NATO-s në Evropë nga paraardhësi dhe bashkatdhetari i tij, gjenerali i armatës, Kris Kavolli.
Ceremonia solemne e pranim-dorëzimit të detyrës, në të cilën mori pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, u mbajt në shtabin suprem të forcave aleate në Evropë në qytetin belg Mons.
Në fjalimin e ngjarjes, Rute i uroi mirëseardhje gjeneralit Grinkeviç në detyrën e tij të re, duke theksuar se si ish pilot ushtarak, ka një kuptim të thellë të kërcënimeve me të cilat përballet NATO "nga qielli dhe përmes sferave të tjera".
Rute shtoi edhe se pret që Grinkeviç në pozicionin e tij të shfrytëzojë përvojën e npasur në vendosjen e prioriteteve ushtarake dhe të sigurisë përballë sfidave globale.

"E di që NATO mund të mbështetet tek ju dhe se ju do t'i shërbeni asaj me të njëjtën vendosmëri të palëkundur, si dhe paraardhësit tuaj", theksoi Rute.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s njëkohësisht falënderoi gjeneralin Kavolli për përpjekjet e tij për të modernizuar mbrojtjen kolektive të Aleancës dhe për angazhimet e tij si përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës.
Sipas Rutes, Kavolli luajti rol të rëndësishëm në përforcimin e pranisë së NATO-s në Detin Baltik, për pengimin dhe mbrojtjen nga kërcënimet e oriantuara ndaj infrastrukturës kritike nënujore të aleatëve, si dhe për krijimin e Komandës së re të Aleancës së NATO-s për Ukrainën me seli në Gjermani.
"Ju ishit komandant i shkëlqyeshëm suprem i forcave aleate në Evropë, duke i udhëhequr ato me nder dhe integritet", shtoi Rute.
Grinkieviç është komandanti i 21-të suprem i forcave aleate për Evropën. I pari që mbajti këtë pozicion ishte gjenerali amerikan Duajt Ajzenhauer, i cili më vonë u bë president i SHBA-së. rq/bsh/
Foto: NATO