• e premte, 05 dhjetor 2025

Franca e shqetësuar nga përshkallëzimi i sulmeve izraelite në Libanin jugor dhe kërkon të respektohet integriteti territorial i Sirisë

Franca e shqetësuar nga përshkallëzimi i sulmeve izraelite në Libanin jugor dhe kërkon të respektohet integriteti territorial i Sirisë

Paris, 20 nëntor 2025 (MIA) - Franca është e shqetësuar nga përshkallëzimi i sulmeve izraelite në Libanin jugor dhe i bën thirrje armatës izraelite të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës. 

"Jemi të shqetësuar nga përshkallëzimi i sulmeve izraelite në Libanin jugor. I dënojmë sulmet që shkaktojnë viktima në mesin e popullatës civile në rajon. Qëndrimi ynë është i qartë, përkatësisht se armëpushimi i 27 nëntorit të vitit 2024 duhet të respektohet", tha një zëdhënës i MPJ-së franceze, cituar nga mediat britanike

Armata izraelite ka intensifikuar sulmet ajrore në Libanin jugor. Sulmet kanë për qëllim parandalimin e Hezbollahut nga rivendosja e aftësive të tij luftarake në zonat kufitare, theksojnë komandantët izraelitë.

Zëdhënësi shtoi se Franca po e ndjek me shqetësim të madh situatën në Rrafshnaltën e Golanit.

"Franca i bën thirrje armatës izraelite të tërhiqet dhe të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë", tha ai. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR