• e premte, 05 dhjetor 2025

Fon der Lajen: Pacientëve dhe të mbijeturave nga kanceri duhet t'u sigurojmë jetë dinjitoze

Fon der Lajen: Pacientëve dhe të mbijeturave nga kanceri duhet t'u sigurojmë jetë dinjitoze

Bruksel, 28 tetor 2025 (MIA) -  Duhet të sigurohet që të gjithë pacientët dhe të mbijetuarit nga kanceri të mund të jetojnë jetën e tyre plot me dinjitet, gëzim dhe mundësi, potencoi kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen në një video fjalim, drejtuar Kongresit të katërt të të mbijetuarve nga kanceri "Të mbushur me jetë". 

"Shumë persona ende vuajnë nga mizoria e kësaj sëmundjeje. Çdo vit, rreth 2,7 milionë njerëz në Bashkimin Evropian diagnostikohen me kancer, ndërsa prevalenca është në rritje. Për këtë shkak 'Plani për ta mposhtur kancerin' është në palcën e Unionit tonë shëndetësor evropian, i mbështetur me katër miliardë euro", tha Fon der Lajen. 

Sipas saj, qëllimi i këtij plani është të mbështesë pacientët me kancer dhe familjet e tyre në çdo fazë të "këtij rrugëtimi të vështirë", si dhe të parandalojë kancerin dhe të sigurojë zbulimin e hershëm të tij dhe diagnostikim e trajtime më të mira. 

Fon der Lajen theksoi se lajmi i mirë sot është se numri i të mbijetuarve nga kanceri është më i lartë se asnjëherë më parë. 

"Por, duhet t'i ndihmojmë këta persona të vazhdojnë të jetojnë. Për këtë shkak ndërtuam një rrjet Evropian të pacientëve të rinj me kancer dhe të mbijetuar nga kanceri, sepse për personat e rinj, kjo betejë shpesh është mjaftë e vështirë", tha Fon der Lajen. 

Sipas saj, ne nuk duhet të lejojmë që ish pacientët me kancer të paguajnë prime më të larta për sigurim ose të mos jenë në gjendje të marrin kredi hipotekare. 

"E pëshëndes përparimin që shtetet tona anëtare kanë bërë në këtë drejtim, e ne nuk do të tërhiqemi nga përpjekjet tona në nivel të BE-së. Për të mbështetur pacientët dhe familjet gjatë sëmundjes dhe për të mbështetur të mbijetuarit gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës së tyre", përfundoi Fon der Lajen. rq/bsh/

Foto: arkivi i MIA-s

Tags

QËNDRONI TË LIDHUR