Fon der Lajen: Nuk ka dyshime se gjuha maqedonase është gjuhë e juaj dhe e respektojmë plotësisht këtë
- Post By Melahat Baftija
- 18:36, 26 tetor, 2022
Shkup, 26 tetor 2022 (MIA) - Ju premtova se do ta nënshkruajmë Marrëveshjen me Fronteksin në gjuhën maqedonase, pa fusnota dhe yje, në nivel të barabartë me të gjitha 24 gjuhët e BE-së dhe sot po japim rezultate. Kjo Marrëveshje nuk është e rëndësishme vetëm sepse e forcon bashkëpunimin tonë për migracionin, por edhe sepse tregon se nuk ka dyshim se gjuha maqedonase është gjuhë e juaj dhe e respektojmë plotësisht këtë, tha kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Dimitar Kovaçevski në Qeveri.
Fon der Lajen vlerësoi se Maqedonia e Veriut po ecën përpara, në rrugën evropiane.
"Jam i sigurt se Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Maqedoninë e Veriut. Dëshirojmë që të jeni pjesë e jona. Është e mrekullueshme të shohësh se sa me vendosmëri po ecni përpara. E keni konsoliduar demokracinë, keni forcuar shtetin e së drejtës, keni bërë përparim në reformimin e sistemit të drejtësisë dhe po zhvilloni një ekonomi tregu të fortë që tashmë po tregon rezistencën e saj. Ju uroj për progresin tuaj. Jam i bindur se jeni të vendosur ta ruani këtë ritëm për të arritur në BE", theksoi kryetarja e Komisionit Evropian.
Ajo theksoi se BE-ja i mbështet vendin dhe rajonin për t'u përballur më lehtë me krizën. Janë siguruar grante, konkretisht për Maqedoninë e Veriut, prej 80 milionë eurosh, të cilat do të jenë të kapshme nga janari.
"Mesazhi im sot për qytetarët e Maqedonisë së Veriut është se BE-ja është pranë jush, ne jemi në këtë së bashku dhe do ta kalojmë këtë së bashku, si dhe do të lëvizim drejt të ardhmes më të mirë", tha Fon der Lajen. mb/