Fillon turneu treditor i Fon der Lajenit nëpër Ballkanin Perëndimor, të mërkurën në Shkup
- Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, sot nga Tirana fillon turneun e saj treditor drejt vendeve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, ku të mërkurën do të udhëtojë në Shkup.
- Post By Ramize Qamili
- 07:43, 13 tetor, 2025
Bruksel, 13 tetor 2025 (MIA) - Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, sot nga Tirana fillon turneun e saj treditor drejt vendeve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, ku të mërkurën do të udhëtojë në Shkup.
Siç informon Komisioni Evropian, gjatë qëndrimit të saj në Shkup, Fon der Lajen të mërkurën pasdite do të takohet me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi.
Në ditën e parë të turneut të pestë të këtij viti në Ballkanin Perëndimor, Fon der Lajen sot në Tiranë do të ketë takim me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama, pas çka do të mbajë fjalim në hapjen e Forumit rajonal të investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Pasdite, Fon der Lajen do të udhëtojë për Tivat, ku do të takohet me presidentin malazez, Jakov Milanoviq, dhe kryeministrin Milojko Spajiq, ndërsa nesër do të marrë pjesë në Konferencë investuese për një të ardhme të mençur dhe të gjelbër.
Nga Tivati, Fon der Lajen nesër do të niset për Sarajevë për takime me anëtarët e presidencës së Bosnje e Hercegovinës dhe kryetaren e Këshillit të ministrave, Borjana Krishto, pas çka do të vizitojë Qendrën memoriale të Srebrenicës.
Fon der Lajeni nga BeH do të udhëtojë për Beograd, ku të mërkurën do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin Gjuro Macut, pas çka do të niset për Prishtinë në takime me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin dhe kryeministrin teknik, Albin Kurti.
Nga Prishtina, Fon der Lajen të mërkurën pasdite do të udhëtojë në Shkup e cila do të jetë etapa e fundit nga turneu i saj drejt Ballkanit Perëndimor.
Komisioni Evropian kumtoi se ky turne do të jetë një mundësi për Fon der Lajenin për të riafirmuar mbështetjen e BE-së për anëtarësimin e rajonit në Union dhe për qasjen e tyre graduale në Tregun e përbashkët evropian, si dhe për të diskutuar zbatimin e Planit të rritjes së Ballkanit Perëndimor.
Ky turne i pestë vjetor i Fon der Lajenit në Ballkanin Perëndimor, pas atyre të katër viteve të mëparshme, siç u theksua nga KE-ja, konfirmon rëndësinë që ka rajoni për Bashkimin Evropian. rq/
Foto: arkivi i MIA-s