• e premte, 22 nëntor 2024

Eurodeputetët kërkojnë ta marrin në pyetje pronarin e ri të "Tuiterit" Ilon Mask

Eurodeputetët kërkojnë ta marrin në pyetje pronarin e ri të
Bruksel, 8 nëntor 2022 (MIA) - Eurodeputetët e grupit centrist "Ta ripërtërijmë Evropën" kërkuan sot që multimiliarderi Ilon Mask të merret në pyetje në Parlamentin Evropian për të mësuar më shumë për qëllimet e tij si pronar i ri i rrjetit social "Tuiter" dhe të rikujtohet ndaj detyrimeve të tij. “Ndonëse ende nuk i dimë plotësisht qëllimet e pronarit të ri të “Tuiterit”, deklaratat dhe veprimet e tij të deritanishme shkaktojnë shqetësim, shkruan grupi, i cili është i treti më i madh në Parlamentin Europian, në një letër drejtuar kryetares së PE-së, Roberta Mecola. Grupi po i kërkon Mecolës ta thërrasë Ilon Mask në një seancë dëgjimore në Parlamentin Evropian për t'i kujtuar atij detyrimet e tij sipas rregulloreve të BE-së dhe Kodit të praktikës së mirë të vitit 2022 për dezinformimet. "Pa marrë parasysh vendimet e Mask, motoja jonë do të mbetet: Kontinenti ynë, rregullat tona. Duhet të jemi të sigurt se “Tuiter” do të vazhdojë të veprojë kundër dezinformatave dhe gjuhës së urrejtjes", ka shkruar kryetari i grupit Stefan Sezhurne. Njeriu më i pasur në botë më 28 tetor e mori menaxhimin e "Tuiter", të cilin e bleu për 44 miliardë dollarë dhe menjëherë e pushoi nga puna bordin e drejtorëve, menaxherët dhe gjysmën e 7.500 punonjësve. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR